Ulja e pagave të funksionarëve, propozimi së shpejti në Qeveri dhe Kuvend
Deri në fund të javës tjetër pritet që grupi i punës të dorëzojë propozimin në Qeveri se si do të bëhet ulja e pagave të funksionarëve, të cilët tani e 9 muaj po marrin një rritje enorme prej 78%. Sipas autoriteteve me të marr propozimin në javën e fundit të dhjetorit do të shqyrtohet në seancë të Qeverisë për të marr dritë jeshile për në Kuvend. Në procedurë parlamentare me 61 vota duhet të ndryshohen 7 ligje, të cilat rregullojnë pagat e 1,260 funksionarëve të shtetit, por për këtë mungon konsensusi tha Fatmir Bytyqi.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike megjithatë theksoi se garanton uljen vetëm të pagës së tij, pasi siç tha ka funksionarë që kundërshtojnë kategorikisht uljen e pagave.
“Për zvogëlimin e pagave duhet të ketë konsensus nga të gjithë sepse nga 1,260 funksionarë ka gjykatës, prokurorë, kryetarë komunash, 120 deputetë, 20 ministra, drejtorë e kështu me radhë. Të gjithë duhet të japin pëlqimin që pagat e tyre të zvogëlohen. Për fat të keq në shoqërinë tonë vështirë arrihet konsensusi edhe për çështje më të rëndësishme, e lëre më ti merrni diçka na xhepi. Unë e di përgjigjen për veti”, deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.
Draft-buxheti i ri për vitin 2024 nuk parasheh mjete për paga më të larta të zyrtarëve në muajin mars. Të zgjedhurit dhe të emëruarit nuk do të heqin dorë nga rritja eventuale e pagave edhe për 10%, por nga Qeveria thonë se këtë e kanë ndaluar me vendim, të cilën e kanë kaluar në seancë të ekzekutivit. Por sindikalistët thonë se kjo masë do të prekë edhe të gjithë të punësuarit në sektorin publik.
“Me metodologjinë e re, ndryshimi i harmonizimit të pagave në sektorin publik jo vetëm që nuk do t’ju lejojë funksionarëve rritje të re në muajin mars, por kjo do të pamundësoj edhe harmonizimin e pagave të gjithë të punësuarve tjerë në sektorin publik, të cilët me marrëveshjen kolektive duhet të kenë rritje lineare në përputhje me nivelizimin e njëjtë sa herë që të rritet paga minimale në vend”, thonë nga SPOGJ.
Shfuqizimi i një neni nga Gjykata Kushtetuese nga paga e prillit u mundësoi funksionarëve të marrin rritje prej 78%, thënë ndryshe nga 3000 denarë më shumë në ditë për të parin e shtetit dhe sipas kategorizimeve edhe funksionarët tjerë kanë fituar mëditje ditore të majme. Ndërkaq po Gjykata Kushtetuese ishte ajo që suspendoi vendimin e Ministrisë së Financave për rritje prej 30% të punësuarve të saj, të cilët u thirrën në një nen të Ligjit të Buxhetit. Këtij vendimi pritet ti jepet një mendim sërish në Kuvend. /Alsat.mk
Average Rating