Ziberi: Shkelje të shumta të të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut gjatë vitit 2023 ka regjistruar ngecje të shumta sa i përket respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Nuk ka sferë ku nuk ka pasur shkelje, madje në disa prej tyre ka kthim prapa në krahasim me të kaluarën. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi, Avokat i Popullit në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, të burgosurit po vuajnë dënimin në mungesë të kushteve elementare dhe kjo nuk përjashton mundësinë e ndonjë përshkallëzimi të situatës nëse nuk ndërmerren masa të shpejta për përmirësimin e kushteve brenda qelive.
Avokati i Popullit thotë se në arsimin fillor nxënësit shqiptarë në disa qytete, përfshirë edhe Shkupin, po privohen nga e drejta kushtetuese për të mësuar në gjuhën amtare, për gjendjen e rëndë në gjyqësor flet më së miri Raporti i Progresit i Komisionit Evropian që ka kritika të shumta, në veçanti për ndryshimet në Kodin Penal që liruan nga ndjekja penale shumë zyrtarë të akuzuar për shpërdorime të shumta.
Problemet sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut janë shtrirë edhe në sferën e arsimit, sipas Avokatit të Popullit.
Përveç problemit me mungesën e teksteve mësimore dhe të programeve cilësore, ai ndalet në çështjen e mohimit të së drejtës kushtetuese për mësim në gjuhën amtare.
Një fushë tjetër ku nuk janë respektuar të drejtat e njeriut, Avokati i Popullit përmend edhe çështjen e përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike, në veçanti të shqiptarëve në postet drejtuese në institucionet shtetërore.
“Në fushën e të drejtave dhe lirive të qytetarëve kemi lënë pas një vit shumë problematik, në shumë drejtime. Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut nuk shënoi ndonjë progres në rritjen e kualitetit në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, përkundrazi në disa segmente ka shënuar procese retrograde, si në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në gjendjen e burgjeve dhe në institucionet tjera korrektuese-ndëshkuese, në sferën e arsimit, në sferën e shëndetësisë e kështu me radhë. Për ne, si institucion, ky vit ka qenë i vështirë sepse Parlamenti nuk arriti t’i përmbushë detyrat ndaj institucionit tonë, nuk arriti të bëjë zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.
U vumë në një situatë që të mos mund të realizojmë programin tonë vjetor për shkak të mungesës së mjeteve financiare pasi na u miratua një buxhet, i cili është nën minimumin e domosdoshëm. Dhe, në fund, nuk arriti të miratojë as ndryshimin e Ligjit të Avokatit të Popullit me të cilin do të krijoheshin parakushtet për një akreditim të statusit të institucionit nacional për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Me një fjalë, viti 2023 ishte një vit i rëndë” – deklaron avokati i popullit.
Average Rating