VIDEO/Tetova në mesin e qyteteve më të pista evropiane dhe jo më të pastërta siç u betua Kasami
“Përfundimisht nga 1 janari Tetova do të jetë një qytet në grupin e qyteteve evropiane sa i përket pastërtisë dhe menaxhimit me mbeturina”, kështu deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me 29 dhjetor 2023 duke iu referuar marrëveshjes me kompaninë e sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë. Por pamjet nga terreni, gati dy javë pas 1 janarit tregojnë të kundërtën, Tetova mbytet në mbeturina dhe mini deponi, shkruan Portalb.mk.
Portalb.mk ju sjell pamjet vetëm për tre ditët e fundit (10, 11 dhe 12 janar 2024) pasi ka kontrolluar disa pika kritike në Tetovë ku gjendja me mbeturinat është alarmante. Pamjet janë të njëjta janë nga një janari, plotë mbeturina. Ndërsa si pikë më kritike paraqitet te stacioni i autobusëve ku është krijuar një deponi e cila me ditë nuk po pastrohet.
https://www.facebook.com/watch/?v=1820088765112040
Edhe pse Kasami tha se nga 1 janari Tetova do të jetë më e pastër referuar marrëveshjes me “Saubermaher”, në ueb-faqen e kompanisë Saubermaher qëndron se afati i kontratës me Komunën e Tetovës është pesëmbëdhjetë vjet dhe do të fillojë në shkurt 2024.
Portalb.mk u drejtua edhe me pyetje gazetareske deri te kjo kompani, por deri në publikimin e këtij artikulli përgjigje nuk morëm.
Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.
Ndërkaq, Komuna më 26 dhjetor njoftoi se ka filluar realizimi i fazës së parë nga marrëveshja e lidhur mes komunës dhe kompanisë private Saubermacher-Slloveni.
“Në Tetovë kanë arritur mbi 400 kontejner nga plastika me kapacitet nga 1.1 m3 ndërsa në ditët në vijëm do të arrijnë edhe disa kamionë, dhe njëkohësisht veshmbathje të reja për punëtorët. Gjatë janarit, pritet që në funksion të hyjnë shërbimet shumë më cilësore për qytetarët dhe punëtorët për të krijuar kështu kushte më të mira, ambient të pastër dhe cilësorë”, informoi Komuna e Tetovës.
Sipas kontratës, partneri privat obligohet pas lidhjes së kontratës, nga NPK “Tetova” – Tetovë të pranojë së paku 100 persona (69 punëtorë teknikë dhe 31 punëtorë administrativë) për kryerjen e shërbimeve komunale dhe të lidhë kontrata pune me ta për kohë të pacaktuar në pajtim me ligjin për Marrëdhënie Pune, Ligjit për nëpunësit Administrativë dhe Ligjit për të punësuarit në Sektorin Publik.
Kujtojmë se në janar të vitit 2023 Këshilli Komunal mori vendimin që Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Ndërkaq NPK-ja aktuale do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin, konkretisht veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit, pra tre veprimtari.
Average Rating