Çashkë/Sot filluan mësimin mbi 150 nxënës shqiptarë dhe maqedonas
“Pas afër tre muajve protestë nga ana e banoreve të komunës së Çashkës të cilët ishin kundër hapjes së paraleles në gjuhen shqipe në shkollën fillore “Todor Janev”, nga sot mbi 150 nxënësit shqiptarë dhe maqedonas filluan mësimin. Sipas marrëveshjes së arritur, nxënësit e klasës së parë të cilët janë pesë në numër dhe ndjekin mësimin në gjuhën shqipe do të vazhdojnë mësimin në këtë shkollë deri në fund të vitit dhe me pas do te zhvendosen në një zonë tjetër të komunës së Çashkës por ende nuk dihet se në cilin fshat do të zhvendoset paralelja në gjuhen shqipe, ndërsa nxënësit tjerë të cilët janë në numër mbi 80 nxënës shqiptar që ndjekin mësimin në gjuhen maqedonase do të vazhdojnë të ndjekin mësimin në gjuhen maqedonase në shkollën fillore “Todor Janev”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.
Prindërit e nxënësve shqiptarë shprehen të revoltuar. Thonë se me ndërtimin e objektit të ri shkollore në një fshat tjetër nuk zgjidhet problemi pasi shumë nxënës udhëtojnë nga fshatra përreth Çashkes dhe vendi me i përshtatshëm është shkolla fillore “Todor Janev”.
“Nuk e di si është marrëveshja por thuan se deri në një kohë të caktuar do të mësojnë në gjuhen shqipe dhe pastaj të bëjnë një shkollë. A është e pranueshme kjo për ju si banorë? Për ne nuk është e pranueshme sepse duam që aty të jetë në komunë të Çashkës se tjerët nxënës nga fshatrat tjerë ku do mësojnë nëse behët në Banjicë ose në një vend tjetër”, tha një banor.
“Nga njëra anë thuan që të jetojmë bashkë shqiptar e maqedonas ndërsa nga ana tjetër bëjnë protesta mbi dy muaj. Ajo duhet të behët deri në të nëntën. Pse mos jetë shkolla këtu në Çashkë, çfarë pengese ka unë nuk e di. nuk është në rregull, perse të mësojnë në maqedonisht kur duhet të mësojnë gjuhën e vetë”, u shpreh një banor tjetër.
Njëra nder kërkesat e banorëve që protestuan ishte edhe shkarkimi i drejtoreshës, ndërsa pas kthimit të kompetencave kreut të Komunës së Pashkës, nga dita e sotme ushtrues detyre drejtor i shkollës “Todor Janev” është caktuar Bojan Gjorgjiov.
“Sot pas dy muaj e gjysmë vazhdoi mësimi në shkollën fillore “Todor Janev” në Çashkë, pa asnjë pengesë dhe gjithsej 178 nxënës u kthyen në shkollë. Si do të funksionoje paralelja shqipe? Po është nënshkruar në marrëveshjen dhe ndërmjet ministrisë dhe pushtetit lokale, problemi është zgjidhur dhe do të funksionoje pa probleme”, tha Gjorgjiov.
Protesta e banorëve maqedonas zgjati gati tre muaj me bllokim të hyrjes dhe daljes së komunës së Çashkës dhe pamundësimin e zhvillimit të procesit mësimor. / Alsat.mk
Average Rating