Kasami jep tenderë miliona euro për kompanitë me nga një punonjës / Kompani turistike do të ndërtojë një qarkore
Shuma milionëshe nga tenderë vetëm nga Komuna e Tetovës kanë përfunduar te kompania“Eko-Peu”, kompani nga Tetova e cila edhe pse ka vetëm një të punësuar, në vitin 2023 ka fituar 9 tenderë me vlerë të përgjithshme prej 981,427 euro. A1on hetoi se kush është kompania “Eco-Peu”, e cila merr tenderë ekskluzivisht nga komuna e menaxhuar nga kryetari i Lëvizjes Besës, Bilal Kasami.
Firma është hapur në maj 2021, pesë muaj para zgjedhjeve lokale në të cilat Kasami fitoi besimin e tetovarëve. Emri i plotë i kompanisë është “Kompani për turizëm, hotelieri dhe shërbime Eko-Peu DOOEL Tetovë””, por përkundër kësaj, ajo merr një sërë tenderash – nga mirëmbajtja e vazhdueshme deri te ndërtimi i unazës nga fshati Lisec në Kodrën e Diellit . Të gjithë këta tenderë të ndryshëm, Eko Peu i ka fituar edhe pse pavarësisht të hyrave të larta, kompania është vetëm me një punonjës.
Pronarja është Habibe Bajrami, e cila ka themeluar kompaninë nën aktivitetin “Resorte dhe objekte të tjera për qëndrime të shkurtra”. Në fillim të vitit 2023, aktiviteti kalon në “Veprimtari shërbimi që lidhet me transportin tokësor”, aktivitete që nuk lidhen në asnjë mënyrë me mirëmbajtjen aktuale, aktivitetet e ndërtimit, mirëmbajtjen dimërore apo lidhjet e ujësjellësit, tendera që janë marrë në komunë.
Në tenderët në të cilët merr pjesë kompania e Bajramit, Komuna e Tetovës ka vendosur që të mos kërkojë raporte financiare, e as projekte referente, edhe pse kompania ka funksionuar me humbje në vitin 2021, kur është themeluar. Të hyrat e kompanisë në vitin 2022 u rritën në mënyrë dramatike – nga humbja prej gati tre mijë euro në minus në vitin 2021, vitin e ardhshëm kompania kishte të hyra prej 154,180 euro dhe e mbylli vitin me fitim prej 11,351 euro.
Bajrami, nga ana tjetër, ka lidhje adresash me mbi 20 persona, shumica sipërmarrës – Disa nga personat me të cilët ka të njëjtën adresë kanë hapur kompani para më pak se një viti, ndërsa disa kanë kompani të mëparshme, si p.sh. Klubi i Karatesë Khalid, i hapur nga disa të regjistruar në të njëjtën adresë.
A1on ka dërguar pyetje në Komunën e Tetovës se si kjo kompani e hapur në vitin 2021 është zgjedhur për ndërtimin e unazës, por edhe për kryerjen e punëve të tjera, duke pasur parasysh se ka vetëm një të punësuar, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Në rrjetin e pronësisë së lidhur janë edhe dy kompani të tjera – “Ereu Trans”, e hapur vetëm 17 ditë pas “Eco-Peu”, por edhe kompania “Mujo-Bajrami”, e vetmja që daton në vitin 2011, të gjitha të familjes Bajrami .
Kurse “Ereu Trans”, kompania në pronësi të Xharie Bajramit me aktivitetin “Punimet përgatitore për kantier ndërtimi” ka një punonjës dhe ka marrë tenderë vetëm nga Komuna e Tetovës, për ndërtime rrugësh, mbushje gropash në rrugë, por edhe punime ndërtimore dhe punë instalimesh për përfundimin e palestrave sportive. Tre tenderët e vitit të kaluar i sollën kësaj kompanie të re gati 1.5 milionë euro.
E vetmja nga tre kompanitë, Mujo-Bajrami, në pronësi të Xhemal Bajramit, nuk ka marrë tender në vitin 2023. Por për këtë kompani ka pasur tendera në vitin 2022, kur nuk ka pasur asnjë për dy kompanitë e tjera.
Kompania atë vit ka arkëtuar 422.549 euro dhe në vitin 2023 tenderat e marra nga kjo kompani – Ndërtim dhe rikonstruksion të ndriçimit, por edhe mbushja e gropave në komunë janë ndarë mes dy kompanive të sapohapura që secila ka nga një punonjës. E përderisa po shpallen tenderë për mbushjen e gropave nëpër rrugë, punimet nga këta tenderë nuk shihen, sepse në Tetovë vështirë se ka rrugë që të mos ketë gropa.
Për këto kompani, viti 2024 ka nisur shumë mirë sa i përket tenderave. “Eco-Peu” tashmë ka fituar tenderët për vendosjen e semaforëve dhe tabelave në Tetovë, si dhe blerjen e kripës dhe rërës, ndërsa “Ereu Trans” ka fituar tenderët për Mirëmbajtje dhe Mbrojtje të Rrugëve. Tenderi për vendosjen e semaforëve dhe tabelave, i cili është në dorën e Eco-Peu, është anuluar më 12 dhjetor, pak më shumë se një muaj para se ta fitonte kompania e Bajramit.
Average Rating