Sindikatat e universiteteve publike kërkojnë nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive
Pesë sindikatat e universiteteve publike në Maqedoni kërkojnë që të nënshkruajnë marrëveshje kolektive me qeverinë për rritjen e pagave të tyre.
“I bëjmë thirrje Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut që në mënyrë aktive të përfshihet në zgjidhjen e këtij problemi, sepse në këtë mënyrë shkelen themelet e vlerave thelbësore dhe parimet kushtetuese për barazi dhe mosdiskriminim të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e pesë universiteteve publike.
Kërkojmë, theksojnë nga atje, në një kohë sa më të shkurtër të pranohemi në takim te kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ashtu që ta njoftojmë me gjendjen tonë.
“Përderisa kërkesat tona të ligjshme nuk respektohen, atëherë si sindikata të pesë universiteteve publike, do të detyrohemi të sillemi sipas parimeve të organizimit sindikalist, përmes ndërmarrjes së të gjitha mjeteve ligjore që kemi në dispozicion, duke e përfshirë në fund të fundit edhe protestën publike”, thuhet në komunikatë.
Në nënshkrimin e kësaj kërkese janë përfshirë sindikatat e universiteteve publike “Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza”, Universiteti i Shkencave Informatike dhe Teknologjike “Shën Apostol Pavle”-Ohër, Universiteti “Shën Kliment Ohridski”-Manastir, Universiteti “Goce Dellçev”- Shtip.
Kujtojmë se Ministria e Arsimit ka nënshkruar marrëveshje me Universitetin “Shën Kiril dhe Metodi” për rritjen e pagave për të punësuarit për 22 për qind.
Average Rating