Petrovska në Ditën e NATO-s: Anëtarësimi është konfirmim i përkushtimit tonë për paqe dhe stabilitet
Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska me rastin e 4 Prillit – Ditës së NATO-s, qytetarëve iu drejtua me një videomesazh.
“Sot, më 4 prill, shënojmë një moment të rëndësishëm në historinë e sigurisë dhe mbrojtjes ndërkombëtare – Ditën e formimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. 75 vjet më parë, vendet themeluese të NATO-s hodhën themelet për një organizatë që do të bëhej një gur themeli i sigurisë kolektive dhe vlerave demokratike në mbarë botën. Në vitin në të cilin Maqedonia e Veriut shënon 4 vjetorin e anëtarësimit në NATO, dhe së bashku me aleatët në Aleancë shënojmë 75 vjet nga themelimi i saj, mund të themi se i kemi të gjitha predispozitat për të qenë një garantues i fortë i pavarësisë dhe sovranitetit tonë“, thotë ministrja Petrovska.
Kjo është, shton ajo, suksesi i brezit tonë, por në atë sukses u përfshinë edhe të gjithë ata që na udhëhoqën para nesh drejt të njëjtit synim – një shtet siguria dhe stabiliteti i të cilit është i garantuar nga brenda, si dhe nga aleatët tanë.
“Si Ministre e Mbrojtjes ndjej një nder dhe përgjegjësi të madhe të drejtoj mbrojtjen në këto kohë kur bashkëpunimi dhe mbrojtja kolektive janë më të rëndësishme se kurrë. Integrimi ynë në NATO nuk është vetëm një konfirmim i përkushtimit tonë për paqen dhe stabilitetin, por edhe një dëshmi e vullnetit tonë për të kontribuar në sigurinë globale”, thotë Petrovska.
Ajo thekson se ne ndajmë të njëjtin qëllim dhe vlera me aleatët në Aleancë.
“Ne kemi të njëjtin qëllim dhe mision të përbashkët me aleatët. Ne kemi të njëjtat vlera. Siguri, stabilitet, paqe, solidaritet dhe mbështetje reciproke. Së bashku, ne jemi më të fortë dhe më të përgatitur për të përballuar sfidat e ardhshme. Vetëm përmes mbrojtjes dhe bashkëpunimit kolektiv mund të ndërtojmë paqe të përhershme dhe të qëndrueshme. Gëzuar ditën e bashkimit aleat, e kemi gëzuar ditën e NATO-s”, thotë në video-mesazh ministrja e Mbrojtjes Petrovska.
Kujtojmë se sot vazhdon takimi i shefave të diplomacive të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, në të cilin tema kryesore është shënimi i 75-vjetorit të formimit të Paktit Veriatlantik dhe prioritetet e Aleancës në prag të Samitit në Uashington në korrik të këtij viti. Takimi do të fillojë me ceremoninë e vendosjes së kurorave me lule nga ana e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stolteberg dhe kryetarit të Komitetit Ushtarak të Aleancës, admiralit Rob Bauer.
Average Rating