
BDI e LSDM shohin hetim selektiv lidhur me tragjedinë në Koçan
Sapo përfunduan shtatë ditët e zisë nga tragjedia në Koçan, partitë politike në opozitë filluan të shprehin pakënaqësitë e tyre për mënyrën e hetimit për të gjetur fajtorët të cilët lejuan funksionimin ilegal të diskotekës “PULSE”. Nga BDI shprehen se krerët e pushtetit dolën me akuza dhe kërcënime para kohe, duke drejtuar gishtin te e kaluara. Theksojnë se objekti ishte mbyllur nga DAP disa muaj më parë, por ishte rihapur në mënyrë të paligjshme. Të gjithë kanë parë gjithçka, askush nuk ka parë asgjë sepse nuk kanë guxuar të reagojnë, thonë nga BDI.
“Pse nuk e panë me kohë dhe pse nuk e parandaluan? Sepse ai vend nuk ishte një lokal i zakonshëm. Ai ishte vendtakimi joformal i gjithë elitës politike, kriminale dhe të biznesit të Koçanit dhe të rajonit përreth. Nga kryetarë komunash, deputetë dhe kryetarë degësh të partive, e deri te inspektorë, komandantë dhe funksionarë – të gjithë ishin mysafirë të rregullt, në lidhje të ngushta me pronarin dhe ekipin e tij; të gjithë e kishin të qartë se pas këtij objekti qëndronin njerëz të fuqishëm që e mbronin, dhe për këtë arsye askush nuk duhej të bëjë pyetje”, thonë nga BDI.
Të pakënaqur janë edhe nga LSDM. Hetimet i cilësojnë si selektive sepse siç thonë, në paraburgim nuk kanë përfunduar komandantë dhe udhëheqës aktual të SPB Shtip dhe të stacionit policor Koçan. Pavarësisht cilës strukturë politike i takojnë, në hetim duhet të përfshihen të gjithë, thonë nga LSDM.
“A është e vërtetë se asnjë nga komandantët, inspektorët dhe udhëheqësia e BSP-së dhe MPB-së në SPB Shtip të cilët duhet ta kishin ditur se çfarë po ndodhë, nuk janë në paraburgim? A udhëhiqet për ndonjërin prej tyre hetim? Nëse jo, si është e mundur të mos hetohen persona të cilët atë natë kanë qenë në pozita përgjegjëse me kompetenca për të reaguar por nuk e kanë bërë këtë? A është e saktë se të gjithë shtatë të punësuarit në MPB të cilët janë tani në paraburgim nuk kanë qenë në funksion në ditën e zjarrit në diskotekë?”, u shpreh Martin Kostovski – LSDM.
Reagimet e dy partive politike vijnë pasi prapa grilave përfunduan ish funksionarë të tyre si ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, ish sekretarja shtetërore e ministrisë së ekonomisë, Razmena Çekiç, ish drejtori i Inspektoratit të Tregut, Goran Trajkovski si dhe ish kryetari i Koçanit, Nikollço Iliev. /Alsat.mk
Average Rating