
Partitë presin ftesën e Filipçes, pastaj do të thonë a do të marrin pjesë në takim, BDI ka kusht
Partitë parlamentare presin ftesën zyrtare nga lideri i LSDM-së, Venko Filipçe dhe më pas do të vendosin nëse do të marrin pjesë në mbledhje liderësh, derisa BDI-ja e kushtëzon me mbështetjen për formimin e Komisionit me vëzhgues ndërkombëtarë për hetimin e zjarrit në Koçan, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka deklaruar se nuk mjafton vetëm të thuhet se kemi nevojë për unitet, se kemi nevojë për një lloj bashkimi, duke aluduar në një takim liderësh.
“Ne duhet ta kthejmë atë në veprime reale dhe hapa realë, sepse kjo është më e pakta që mund të bëjmë për 60 familjet, 59 që mbetën pa fëmijë, të tjerët që kanë qindra fëmijë në trajtim dhe, natyrisht, të gjithë shoqërinë që ne shohim tani që kërkon disa ndryshime. Të rinjtë po dalin në rrugë dhe kërkojnë ndryshime, dhe të rinjtë janë një kategori qytetarësh që nuk u intereson as e shkuara, as e tashmja, por e ardhmja. Ne si politikanë duhet të mendojmë mirë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Filipçe.
Nga qeveria thanë se nuk kanë marrë iniciativë nga LSDM-ja, por se ata dhe kryeministri janë të hapur për çdo propozim dhe iniciativë për ndihmë.
“Asnjë kërkesë zyrtare nuk ka arritur në qeveri nga LSDM. Kemi përcjell vetëm njoftime në media. Situata të tilla serioze kërkojnë një qasje serioze. Qeveria dhe kryeministri janë të hapur për çdo propozim dhe iniciativë që synon të ndihmojë” thonë qeveria.
Nga partia “E Majta” deklaruan se qëndrimin nëse do të marrin pjesë në një takim të tillë, do ta shprehin pasi të mësojnë formatin dhe planin e tij.
Nuk është koha për kalkulime, as për manovra e marrëveshje politike, thonë nga “E Majta”, por për veprime në të gjitha nivelet e qeverisjes – për të krijuar siguri dhe për të garantuar llogaridhënie.
Janë deklaruar edhe nga koalicioni VLEN. Ata vlerësojnë se kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe-s i mungon kredibiliteti për të thirrur mbledhjen e liderëve.
“Pas njoftimeve të LSDM-së se do të kërkojnë Komision Hetimor për Koçanin, i cili padyshim është në koordinim me aleatët e tyre të BDI-së, të cilët me naivitet besojnë se mund të paraqiten si viktima të rrejshme të persekutimit politik, Venko Filipçe konfirmoi se synon ta politizojë tragjedinë kolektive dhe kështu nuk ka kredibilitet për të thirrur mbledhjen e liderëve. Koordinimi me BDI-në është i mjaftueshëm”, thuhet në qëndrimin e koalicionit VLEN dërguar mediave.
Partia ZNAM do të vendos nëse do të marrë pjesë në një mbledhje të liderëve pasi të marrë iniciativën e paralajmëruar nga Filipçe.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) theksuan se fillimisht duhet të formohet një komision parlamentar me mbikëqyrje ndërkombëtare dhe më pas të shqyrtohen hapat e tjerë.
“Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithë deputetëve që nuk dëshirojnë që një nga tragjeditë më të mëdha në vend të përfundojë me farsën më të madhe juridike të drejtësisë selektive dhe robërimit të shtetit, të nënshkruajnë iniciativën e “Frontit Evropian” për formimin e këtij komisioni”, thuhet në qëndrimin e BDI-së.
Average Rating