
Skandal: Shkelësi i vlerave të BE-së Petar Bogojeski u emërua në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet
Në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane dhe Mobilitet të Maqedonisë së Veriut është emëruar Petar Bogojeski, qëndrimet e të cilit janë në kundërshtim me vlerat evropiane, ai njihet si antishqiptar dhe ekspert i gjuhës së urrejtjes. Qeveria e RMV-së ‘nge duart’ edhe pse ka gisht në këtë çështje, ndërsa emërimi i Bogojeskit shkaktoi ‘zjarr’ në skenën politike, shkuan Portalb.mk.
Nga shkelja e vlerave të BE-së, në krye të një institucioni të vlerave të BE-së
Lideri i partisë së vogël “Koncepti Maqedonas” Petar Bogojeski së fundmi u zgjodh drejtor i Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet.
Bogojeski në opinion njihet si ekspert i shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes dhe nacionalizmit, e cila është në kundërshtim me vlerat e BE-së
Ndër vlerat e Bashkimi Evropian të përcaktuara nga Traktati i Lisbonës dhe Karta e të Drejtave Themelore të BE-së janë dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, dhe të drejtat e njeriut ( ku përfshihet e drejta për të qenë të lirë nga diskriminimi në bazë të gjinisë, origjinës racore ose etnike, fesë ose besimit, paaftësisë, moshës, orientimit seksual dhe të tjera).
Por, këto vlera në paraqitjet e tij publike Bogojevski nuk i ka respektuar dhe i ka “shkelur me dy këmbë”.
Për të mos u mjaftuar me kaq, ai u shpërblye me postin e drejtorit në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet.
Qëndrimet e tij nuk përkojnë me qëllimet e institucionit ku ai është emëruar.
Qëllimi i Agjencisë Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë është të punojë në promovimin dhe zbatimin e programeve evropiane në fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit në RMV.
Përmes këtyre programeve Agjencia Kombëtare synon të kontribuojë në zhvillimin e komunitetit si një shoqëri e bazuar në njohuri të avancuara, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, punë më të mira dhe kohezion më të madh shoqëror, duke siguruar mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm dhe veçanërisht shkëmbimin, bashkëpunimin dhe mobiliteti në fushën e arsimit dhe trajnimit.
Pse e lejoi Qeveria e RMV-së njeriun e gabuar në krye të këtij institucioni?
Qeveria e Maqedonisë së Veriut arsyetohet se nuk janë “përzier në këtë punë”.
“Vendimin e ka sjellë Bordi udhëheqës i Agjencisë. Është në pajtim me procedurën ligjore dhe kompetencat e tyre”, thanë për Portalb.mk nga Qeveria e RMV-së.
Por, sipas Ligjit për Themelimin e Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane dhe Mobilitet, konkretisht në nenin 12 thuhet:
“Kryetarin dhe anëtarët e Bordit Udhëheqës i emëron dhe shkarkon Qeveria e Republikës së Maqedonisë”.
BDI: Të tërhiqet menjëherë ky vendim
Emërimi i Bogojevskit në këtë pozicion ka nxitur reagim të ashpër nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Zgjedhja e Bogojevskit sipas tyre është ofendim dhe nënçmim ndaj shqiptarëve.
“Emërimi i një personi i cili tërë karrierën e tij publike dhe politike e ka ndërtuar mbi fyerje dhe nënçmime ndaj shqiptarëve, paraqet një provokim të drejtpërdrejtë jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për vetë idenë evropiane në vend. Veçanërisht ironike dhe tragjike është që ky individ ka qenë objekt i kallëzimeve penale pikërisht nga partitë e VLEN-it në Qeveri – dhe sot, me mbështetjen e tyre, shpërblehet me një funksion udhëheqës”, thanë nga BDI.
Sipas tyre, ky akt është një sinjal i qartë se fyerjet ndaj shqiptarëve jo vetëm që nuk sanksionohen, por edhe shpërblehen me pozita shtetërore.
“Është një mesazh i rrezikshëm se kushdo që dëshiron të ndërtojë karrierë politike, mjafton ta poshtërojë popullin shqiptar”, thanë nga BDI.
Ata kërkuan tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi të turpshëm dhe rikthimin e seriozitetit në proceset që kanë të bëjnë me integrimin evropian, arsimin dhe bashkëjetesën.
“Qeveria nuk guxon të lejojë që shteti të shndërrohet në një skenë për provokime të lira, në dëm të bashkëjetesës dhe perspektivës evropiane”, thanë nga BDI.
Ndaj reagimit të BDI-së dolën nga Koncepti Maqedonas, ata thanë se “BDI po sulmon sepse nuk do politikanë që luftojnë për interesat maqedonase”.
VLEN nuk merr përgjegjësi si partner në qeveri, por fajëson BDI-në
Koalicioni VLEN të cilët janë pjesë e Qeverisë së RMV-së, për Portalb.mk thonë se kanë qëndrim të qartë me provokimet e Bogoevskit.
“Opinioni publik e mban mend si përkrahës i Prokurorisë Speciale, reformator i VMRO-DPMNE-së, e më pas si një nacionalist maqedonas – por vetëm përkohësisht, si me bateri që shpejt harxhohen. Prandaj, është një fyerje tjetër ndaj shqiptarëve kur BDI përpiqet të promovojë idenë se integrimet evropiane të Maqedonisë varen gjoja nga një figurë e tillë”, thanë nga VLEN për Portalb.
Edhe kësaj radhe VLEN nuk e kursen BDI-në, nga aty theksojnë se, çështja qëndron në atë se pse BDI-ja para se të turpërohej kështu nuk e pyeti Talat Xhaferin se si Bogojevski ishte këshilltar shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes?
“Pse BDI-së nuk i kanë penguar qëndrimet e tij anti-shqiptare kur ishin në koalicion zyrtar me Gruevskin dhe Mijallkovin? Ndryshe nga kjo klikë e humbur opozitare e BDI-së, ne nuk ankohemi kur gjërat vështirësohen, por luftojmë për korrigjimin sistematik të gabimeve. Me të gjitha pengesat me të cilat ballafaqohemi dhe pasojat e regjimit kriminal të Ahmetit, Grubit, Osmanit dhe vartësve të tyre që trashëguam, ne do të reformojmë sistemin dhe do të ndërtojmë zgjidhje të qëndrueshme për shqiptarët”, deklaruan nga VLEN.
Kujtojmë që në të kaluarën koalicioni VLEN ka paraqitur kallëzim penal ndaj Petar Bogojevskit për përhapje të gjuhës së urrejtjes përmes rrjeteve sociale.
Kush është Bogojevski dhe çfarë qëndrimesh mban?
Petar Bogojevski është lider i partisë “Koncepti Maqedonas” dhe deri dje ishkëshilltar i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoskit.
Ai në opinion njihet si mjeshtër i shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes.
Bogojeskin opinioni e njohu pas daljeve të tij publike në vitin 2018, kur ai u paraqit si “reformator”, person që do t’i printe një procesi për ta reformuar VMRO-DPMNE-në. Aso kohe ai ishte kritikues i madh i kreut aktual të së njëjtës parti Hristijan Mickoski, i cili kishte marrë timonin e partisë pas ikjes së Nikolla Gruevskit.
“Banditë dhe tradhtarë“, e kishte quajtur grupin që e përkrahnin Mickoskin dhe vet Mickoskin. “Ajde ta shpëtojmë Maqedoninë“, bënte thirrje Bogojeski më 3 dhjetori të vitit 2020. Madje edhe shumë konfrontime tjera dhe akuza ndaj atyre me të cilët sot hanë e pinë në një tavolinë.
Bogojeski ka shpërndarë gjuhë të urrejtjes ndaj komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sidomos ndaj shqiptarëve.
Në daljet e tij publike dhe veçanërisht në Facebook, Bogojevski shpesh përdor termin “shiptar” kur i referohet shqiptarëve, fjalë që prej kohësh konsiderohet ofenduese dhe degraduese edhe në kontekstin maqedonas. Këtë ai e ka bërë në disa raste të cilat i gjeni: këtu, këtu dhe këtu.
Megjithatë, jo vetëm shqiptarët kanë qenë therrë në sytë e Bogojeskit.
Ai përmes facebook ka shprehur urrejtje edhe ndaj komunitetit të boshnjakëve. “Aktore, nuk kam faj që e urren veten dhe lekurën tënde serbe, në të cilën ke lindur! Nuk kam faj që urren fisin tënd nga vjen!”, ka shkruar Bogojeski në facebook, duke i replikuar aktivistes Mersiha Smailoviq.
Ndryshe, redaksia e Portalb.mk është në pritje të përgjigjes nga Delegacioni i BE-së në vend, se a do të ketë Bashkimi Evropian ndonjë reagim dhe cili është qëndrimi i tyre për emërimin e Bogojeskit në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet.
Average Rating