
Editorial / Rritje e gjuhës së urrejtjes – fajtor politika!
Nëpër rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut çdo ditë e më shumë ka rritje të gjuhës së urrejtjes. Fyerje, sharje dhe fjalë më të pista ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me çështjen etnike. E veçanta e këtyre fyerjeve është se nuk bëhet vetëm nga individë që s’kanë një arsimim të duhur, por së fundmi shihen shkrime dhe fyerje edhe nga “intelektualë”, të cilët siç duket më shumë i hedhin benzinë “zjarrit që përvëlon”. Politika është fajtorja kryesore, e sidomos tani kur po afrohen zgjedhjet lokale. Andaj, duhet të dihet qartë se ngjashëm si shqiptarët por edhe maqedonasit në këtë shtet duhet të krijojnë një harmoni për bashkëjetesë, dhe jo të nxisin njëri tjetrin për urrejtje dhe fyerje, shkruan “Zhurnal.mk”.
Rrjetet sociale vendi për të shfryer mllefin!
Gjuhë e urrejtjes konsiderohet cilido veprim që sulmon një person ose grup në bazë të racës, fesë, gjinisë, paaftësisë, etnisë, ose orientimit seksual.
Në botën digjitale, mediat sociale luajnë një rol qendror në krijimin, shpërndarjen dhe konsumimin e informacionit. Megjithëse ky revolucion digjital ka sjellë edhe sfida serioze, veçanërisht në kuadrin e rregullimit të përmbajtjeve të publikuara në internet. Pyetjet në lidhje me përgjegjësinë e platformave për përmbajtjen e krijuar nga përdoruesit janë gjithnjë e më aktuale, pasi mediat sociale bëhen një fushëbetejë kryesore për përhapjen e dezinformatave, gjuhës së urrejtjes dhe formave të tjera të abuzimit.
Hulumtimet tregojnë se të rinjtë janë të ndjeshëm ndaj dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes, gjë që tregon nevojën për edukim më të madh mbi të menduarit kritik dhe përdorimin e përgjegjshëm të platformave digjitale.
Megjithatë, në një ortek informacionesh dhe shkëmbimesh në hapësirën online dhe në rrjetet sociale, përveç gjuhës së urrejtjes që përhapet përmes postimeve nga profilet private, portalet e internetit harrojnë detyrimin për të moderuar komentet që paraqesin përhapje të gjuhës së urrejtjes, përçmim dhe nxitje të dhunës ndaj grupeve të caktuara.
Në raportin vjetor të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD) është konstatuar se lëndët më të shumta për mbrojtje nga diskriminimi të pranuara në vitin 2023 kanë qenë në fushën e informimit publik dhe mediave (48,18%). Sa i përket rasteve të diskriminimit të vërtetuar në fushën e informimit publik dhe medias, 13 prej tyre (72%) u referohen ngacmimeve dhe/ose gjuhës që shkakton thirrje, nxitje dhe udhëzime për diskriminim në internet. Nga të tjerat, tre raste janë për përmbajtje të publikuara në portalet e internetit dhe dy për deklarata me përmbajtje shqetësuese me bazë diskriminuese të dhëna në një emision televiziv. Bazat diskriminuese të identifikuara më shpesh janë orientimi seksual (61,11%), identiteti gjinor (61,11%), përkatësia kombëtare ose etnike (27,78%) dhe përkatësia në një grup të margjinalizuar (22,22%).
Urrejtja kryesisht buron nga politika
Gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi janë shumë të shpeshta dhe kanë filluar të bëhen pjesë e përditshme. Në vitet e fundit ka gjithnjë e më shumë gjuhë të urrejtjes lidhur me përkatësinë etnike dhe kjo ndodh për shkak se partitë politike përdorin gjuhë që nxitë më shumë gjuhën e urrejtjes.
Duke pasur parasysh që edhe diskriminimi edhe gjuha e urrejtjes shpesh përdoren si mekanizma për të ruajtur hierarkitë sociale, efektet e tyre përputhen: krijojnë një atmosferë pabarazie dhe frike. Dallimi është kryesisht në formën – diskriminimi është një veprim, ndërsa gjuha e urrejtjes është një shprehje – por qëllimi përfundimtar është i njëjtë: margjinalizimi i grupeve të caktuara, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në tremujorin e fundit të vitit është vërejtur rritje e gjuhës së urrejtjes me bazë etnike, ndërsa gjuha e urrejtjes me bazë gjinore ka mbetur në të njëjtin nivel. Ky trend lidhet kryesisht me ngjarjet politike, veçanërisht me diskutimet rreth ligjit për gjuhët dhe ndryshime të tjera në politikë.
Në vend që politikanët dhe intelektualët t’i përdorin platformat për deklarata konstruktive, ata shpesh i keqpërdornin ato për të përhapur narrative të dëmshme. Kjo çoi në rritjen e gjuhës së urrejtjes tek qytetarët, e cila ishte veçanërisht e dukshme në komentet nën postimet në rrjetet sociale.
Prandaj, kur gjuha e urrejtjes bëhet e pranuar nga shoqëria, ajo përforcon stereotipat ekzistuese dhe krijon një mjedis social në të cilin veprimet diskriminuese përjetohen si “normale” ose “të arsyetuara.
Maqedonia e Veriut ka nevojë për një qasje më të gjerë, për më shuëm mirëkuptim dhe tolerancë. Më i rëndësishëm është parandalimi – institucionet duhet të jenë aktive përmes rregulloreve dhe nismave edukative. Edukimi është gjithashtu shumë i rëndësishëm për atë se çfarë gjeneratash krijojmë dhe çfarë mekanizmash, më pas ato do të jenë të dobishëm për t’u përballur me këtë fenomen. Duhet të gjejmë mënyra për të nxitur dialog ndërmjet grupeve të ndryshme dhe për t’u reduktuar keqkuptimi, sepse këtij vend ii duhet vetëm një fije e hollë për të ndezur dhe për të përshkallëzuar situatën.
Prandaj, nëse politikanët, intelektualët, akademikët, afaristët etj, japin shmebull të mirë, gjithsesi edhe të rinjtë dhe popullata do të jenë më të përmbajtur, shkruan “Zhurnal.mk”.
Average Rating