Bexheti: Fronti evropian do të zgjerohet, ende po bëhen analiza

Read Time:2 Minute, 50 Second

Koordinatori i grupit parlamentar të Frontit Evropian, Blerim Bexheti, sot në konferencë për shtyp paralajmëroi se koalicioni do të rritet, por jo vetëm me parti politike. Ai edhe një herë u bëri thirrje Vlenit dhe VMRO-DPMNE-së të mbajnë zgjedhje të parakohshme, duke i akuzuar ata për degradim të gjuhës shqipe dhe injorim të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve lidhur me bashkimin e Arben Taravarit dhe zgjerimin e mundshëm të Frontit Evropian, Bexheti tha se aktualisht po bëhen analiza dhe se Fronti Evropian do të zgjerohet jo vetëm me partitë politike, por edhe me individë, sektorin joqeveritar dhe të gjithë ata, siç tha ai, “që mendojnë se kjo qeveri po merr vendime antishqiptare dhe e cila po degradon vazhdimisht të drejtat e shqiptarëve”.

“Aktualisht, bisedimet janë ende duke u zhvilluar, po bëhen analiza në kontekstin e çështjes së zgjerimit të Frontit Evropian, dhe qëndrimi ynë është që Fronti Evropian do të zgjerohet, jo vetëm me parti politike. U bëjmë një thirrje publike të gjithë shqiptarëve, të gjitha komuniteteve të tjera etnike, qytetarëve të komuniteteve të tjera etnike”, tha Bexheti.

Paralajmëroi se në këto zgjedhje lokale do të kenë një front të gjerë, jo vetëm me parti politike, por me individë, intelektualë, qytetarë… një koalicion të gjerë, i cili do të shprehet në formë referendumi “mbi pakënaqësinë e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike”. Bexheti përsëriti gjithashtu kërkesën drejtuar Vlenit dhe VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Do të kemi një koalicion të gjerë me individë, me parti politike, me sektorin joqeveritar, me të gjithë ata që mendojnë se kjo qeveri po merr vendime antishqiptare dhe e cila vazhdimisht, çdo ditë, degradon të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike. Do të ketë një front të gjerë në këto zgjedhje lokale”, tha Bexheti.

Në konferencën për shtyp, ai tha se gjuha shqipe po degradohet brutalisht, se ligjet po dërgohen vetëm në gjuhën maqedonase, po ndryshohen udhërrëfyesit, kurse më shumë se 78 institucione po e injorojnë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe dhe po përpiqen të heqin statusin e Inspektoratit të Gjuhës, ku punonjësit nuk janë paguar me muaj të tërë.

“Qëllimi është i qartë, të na bëjnë të heshtim”, deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të Frontit Evropian, Bexheti.

Në konferencën për shtyp në dhomën ligjdhënëse, ai tha se nga VMRO-DPMNE në pushtet jan[ iniciuar 18 propozime për të shfuqizuar çdo ligj që mbron barazinë.

“Balanceri është hequr, punësimi favorizohet për bashkësinë etnike maqedonase, duke u justifikuar me një meritokraci të rreme që nënvlerëson shqiptarët”, konsideron Bexheti.

Sipas tij, avancimet u jepen vetëm anëtarëve të VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të tyre maqedonas të koalicionit.

“Ligji për Përfaqësim të Drejtë është bllokuar, ose më saktë, përmes një procesi prej 10 muajsh me sekret të lartë, nesër pritet të miratohet një propozim-ligj që nuk ka të bëjë me përfaqësimin, por me poshtërimin dhe degradimin e plotë të shtyllës kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike. Gjatë marrjes së vendimeve, shqiptarët injorohen plotësisht”, theksoi Bexheti.

Ai theksoi se shqiptarët nuk u ftuan të merrnin pjesë në vizita shtetërore, ndërsa në takimet ndërqeveritare, thotë, u zëvendësuan me maqedonas. Sipas Bexhetit, drejtorët ekonomikë të klinikave universitare u shkarkuan thjesht sepse ishin shqiptarë.

“Për vendimet më të rëndësishme shqiptarët dëgjojnë vetëm nga mediat. Ky është partneriteti që VLEN ofron në këtë qeveri”, tha Bexheti.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous post Bekim Qoku në press konferencë, deputetët e Alternarivës e bojkotojnë, a po ndahet VLEN?
Next post Krizë në Alternativa: Akuza për tenderë dhe manipulim, “këmisha e bardhë” njolloset!