
Mexhiti pas reagimit të Maksutit: Ligj ideal nuk ka!
Mexhiti nga ana tjetër është shprehur se qytetarët nuk duhet që të ngarkohen me afatin e shqyrtimit të Komisionit të Venecias sepse përfaqësimi është kategori kushtetuese
Urim HASIPI
Tetovë, 26 qershor – Liderët e partive që e përbëjnë koalicionin VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë komentuar deklarimet publike të anëtarit shqiptarë Mersim Maksuti që ishte pjesë e grupit për hartimin e ligjit për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, i cili publikisht tha se vërejtjet e tij nuk janë marrë në konsideratë. Kasami dhe Mexhiti janë thirrur në një deklaratë të mëhershme të Maksutit, i cili ka thënë se BDI për 22 vite nuk ka arritur që të sjellë ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
“Po i njëjti ekspert që i referoheni ju tha se Bashkimi Demokratik për Integrim pati 23 vite për të draftuar një ligj dhe nuk e bëri. Ne jemi krenarë që në vitin e parë të udhëheqjes tonë arritëm të draftojmë një ligj që do të garantojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve në vend konform kushtetutës”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa. Ndërkaq, zëvendëskryeministri Mexhiti është shprehur se Maksuti ka qenë anëtar në grupin e punës që është caktuar nga Taravari. Por, sipas tij, ligj ideal nuk ka.
“Ne duhet ta potencojmë që 30 vite nuk ka pasur ligj, këtë e ka thënë edhe Mersim Maksuti që BDI e ka pasur rastin 22 vjet të sjellë ligj dhe nuk e ka sjellë. Ligj ideal nuk ka, edhe vërejtjet janë të mirëseardhura, sepse ligji ka kaluar në procedurë qeveritare, duhet të shkon në komisionin e Venecias, do të kthehet në kuvend dhe mund ta bëjë ligjin më të mirë”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër.
Të pyetur se sa kohë do të duhet që ky propozim ligj të miratohet duke patur parasysh se qeveria të njëjtin do ta dërgojë në Komisionin e Venecias, Kasami dhe Mexhiti janë shprehur optimist se i njëjti do të shqyrtohet shpejtë në Komisionin e Venecias dhe më pas do të miratohet edhe në kuvend. “Ne do të kërkojmë edhe nga Komisioni i Venecias të veprojë shpejtë për shkak se në këtë rast është bërë një ligj i rëndësishëm për sa i përket përfaqësimit dhe punësimit të komuniteteve në Maqedoninë e Veriut që është një kategori kushtetuese dhe unë besoj se shpejtë do të kalojnë ato procedura, duke u miratuar edhe në kuvend dhe punësimi të bëhet duke u bazuar në ligj”, tha Kasami.
Mexhiti nga ana tjetër është shprehur se qytetarët nuk duhet që të ngarkohen me afatin e shqyrtimit të Komisionit të Venecias sepse përfaqësimi është kategori kushtetuese. “Nuk duhet që qytetarët të ngarkohen me afatin e Komisionit të Venecias sepse përfaqësimi është kategori kushtetuese, e garanton kushtetuta përfaqësimin adekuat dhe në qeverinë e tanishme, VLEN ka marrëveshje për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike dhe jo vetëm në punësimin e shqiptarëve por edhe në avancimin e tyre që janë harruar me vite të tëra”, deklaroi Mexhiti.
Profesori Universitar Mersim Maksuti, në një postim në rrjetet sociale ndër të tjera ka thënë se “në mungesë të sanksioneve juridike kundërvajtëse ndaj zyrtarëve publik, përgjegjësisë politike ndaj bartësve të funksioneve publike dhe lënien në vullnetin politik të zbatimit të këtij ligji janë indikator se ky Propozim Ligj nuk do të arrij efektin juridik të dëshiruar”, ka shkruar ai.
Reagime për këtë propozim ligj kanë patur edhe partitë opozitare shqiptare të cilët janë shprehur se nuk do ta përkrahin këtë ligj, kur do të dërgohet në kuvend për votim.
Average Rating