LEN: Pa anëtarin në KSHZ s’ka zgjedhje në komunat shqiptare
Masa rigoroze paralajmëron opozita shqiptare nëse gjatë tre ditëve të ardhshme nuk thirret seanca parlamentare për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së nga radhët e tyre. Kreu i Lëvizjes, Besa Bilall Kasami, në intervistë për Alsat sqaroi hapat e ardhshëm, përfshirë edhe pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve në komunat e opozitës.
“Nëse Kuvendi nuk e zgjidh këtë çështje deri në fund të këtij viti kalendarik atëherë nga 1 janari, Lidhja Evropiane për Ndryshim do të bojkotojë punimet e Kuvendit me deputetët e saj por do të vazhdojnë edhe hapa të tjerë në drejtim të bllokimit të punës së Kuvendit, më drejtim të protestave të hapura… edhe pamundësinë e organizimit të zgjedhjeve në komunat shqiptare. E dimë ne se infrastrukturën kryesore në organizimin e zgjedhjeve e ofron pushteti lokal, objektet e komunave, objektet e shkollave, gjithë infrastrukturën lokale dhe çdo lokalitet ku janë të shtrira institucionet e pushtetit lokal”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Në seancë plenare deputetët do të duhen të vendosin mes dy emrave të propozuar, Abdush Demirit, i mbështetur nga Lëvizja Besa dhe Zulfi Adilit, i mbështetur nga Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës. Demiri do të ketë edhe mbështetjen e VMRO-DPMNE-së e cila po ashtu vlerëson se pozita e anëtarit të KSHZ-së që tani është bosh, i takon opozitës shqiptare. Lidhja Demokratike e Pavlle Trajanovit, nëpërmjet një komunikate, fton pushtetin të mos pengojë këtë proces.
“Lidhja Demokratike i bën thirrje BDI-së dhe LSDM-së që të mos bllokojnë zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të mbështetur nga partitë politike opozitare të shqiptarëve, pasi ky është obligim ligjor. Aleanca e Shqiptarëve ka një vit që është pjesë e shumicës parlamentare dhe merr pjesë me ministrat e saj në Qeveri dhe në nivele të tjera qeveritare dhe nuk ka bazë ligjore për të propozuar, përkatësisht për të mbështetur një kandidat për anëtar të KSHZ-së. Dispozitat e Kodit Zgjedhor janë të qarta dhe pengesat nga BDI-ja dhe LSDM-ja tregojnë për një skenar të mundshëm për shkelje të rregullave zgjedhore dhe kontestim të rezultateve zgjedhore”, thonë nga Lidhja Demokratike.
KSHZ-ja, sipas ligjit, përbehet nga shtatë anëtarë, tre nga partia maqedonase në pushtet, dy nga partia maqedonase në opozitë përfshirë kryetarin, një nga partia shqiptare në pushtet dhe një nga partia shqiptare në opozitë.
Aleanca për Shqiptarët kishte një anëtar në KSHZ deri në shkurt por me kalimin e saj në pushtet, vendi ka mbetur bosh.
Average Rating