Perëndimi po e toleron Serbinë, Musliu: Nuk përjashtohet mundësia e një sulmi si i Banjkës
Drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu thotë se është e papranueshme si tolerohet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nga Bashkimi Evropian, pasi i njëjti, siç thotë ai, i prinë një politike skajshmërisht shoviniste dhe se nuk do të ndalet së shërbyeri presidentit rus, Vladimir Putin.
Musliu në intervistë për KosovaPress thotë se këtë vit, Kosovën e presin shumë sfida në aspektin e sigurisë.
Konsideron se Serbia mund të përdorë serbët lokalë në veri të Kosovës për ndonjë konflikt të radhës, derisa nuk përjashton mundësinë për një sulm të ngjashëm serb me atë të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Derisa pohon se rreziku është konstant, eksperti i sigurisë thekson se pjesëtarë të grupeve terroriste serbe vazhdojnë të trajnohen në kampe stërvitore, e që janë të koordinuar nga qeveria e Serbisë.
Ai tregon kronologjikisht edhe zhvillimet gjatë vitit 2023.
Musliu kujton sesi viti që lamë pas kishte nisur me tensione të trashëguara, të cilat kishin përfunduar me barrikada dhe me tentimet për përshkallëzime si dhe sulmin në Banjskë.
“Vendi Banjska nuk është zgjedhur rastësisht. Është kisha e vetme e cila nuk e ka denoncuar asnjëherë asnjë akt të dhunës apo çkado që ka ndodhur në shekullin e fundit në Ballkan, nga qeveria serbe apo nga bandat kriminale çetnike të Serbisë, por është edhe një simbolikë tjetër, po atë ditë më 24 shtator, para 120 vitesh, bandat çetnike serbe e kishin spastruar dhe kishin bërë maskara në atë pjesë të Kosovës, d.m.th. e kishin spastruar nga shqiptarët. Nuk ishte një sulm i rastësishëm por ishte i planifikuar deri në detaje me qëllim që ajo pjesë e Kosovës të shkëputej njëherë e përgjithmonë, definitivisht duke krijuar trazira, duke pretenduar të mbrohet kisha serbe nga shqiptarët. Ishte me qëllim të stimulohej një sulm dhe të vritej dikush nga Kisha e pastaj të provokohej edhe Policia e Kosovës, ja që plani eci ndryshe dhe Policia e Kosovës ishte shumë efikase në arritjen e vendit të ngjarjes”, thotë Musliu.
Ai thotë më tej se Milan Radojçiqi është bashkëpunëtori më i ngushtë i Aleksandër Vuçiqit së bashku me Veselenoviqin, të cilët e krijojnë të ashtuquajturin ‘klan i Novisadit’, së bashku me ministrin e mbrojtjes Vuçeviqin, i cili paraprakisht ishte edhe për dy mandate edhe kryetar i qytetit të Novisadit.
“Andaj kjo bandë e ka vendosur fushëveprimin e saj në Novisad dhe së bashku me Vuçeviqin kanë vepruar më tepër se një dekadë në aspektin e marrjes së tenderëve nga qeveria e Republikës së Serbisë, respektivisht direkt nga Vuçiqi. Sepse Vuçiqi është duke imituar Millosheviqin paraardhësin e tij. Millosheviqi kishte Arkanin, ndërsa Aleksandër Vuçiqi e ka Radoiçiqin, dhe së bashku me këta kriminelë me ministrin e mbrojtjes Vuçeviqin, Veselenoviqin, Radojçiqin po edhe me vëllain e presidentit të Serbisë, i cili më tepër ka ndikim në anën e Vojvodinës dhe shërben si platformë politike për të blerë vota dhe për të pasur qetësi politike në atë pjesë, është pjesë përbërëse e këtij plani kriminel të cilit i prinë Radjoçiqi. Sigurisht që pas këtij sulmi janë intensifikuar edhe sulmet politike ndaj Republikës së Kosovës dhe propaganda të shumta kinse vetë Kosova i ka organizuar apo dhe versione të ndryshme, kinse edhe disa shërbime të huaja kanë organizuar këtë për të sulmuar apo për të fajësuar pjesën serbe”, thotë eksperti i sigurisë derisa jep një retrospektivë të ngjarjeve të sigurisë gjatë vitit 2023.
Duke marrë parasysh ndryshimet gjeostrategjike dhe gjeopolitike që po ndodhin në botë, Musliu thekson se këtë vit Kosovën e presin shumë sfida.
“Sigurisht që Kosovën e presin shumë sfida, në aspektin e sigurisë e që mund të llogarisim edhe në ndonjë sulm të ngjashëm sikur në Banjska, sepse këto grupe terroriste, ka shumë pjesëtarë të këtyre grupeve terroriste që janë stërvitur dhe janë duke u stërvitur në kampe stërvitore, ku janë stërvitur edhe grupi paraprak në thellësi të Serbisë, po ushtarake dhe policore në Rashkë e në pjesët ku stërvitin edhe njësitë tjera paramilitare që janë to koordinuara nga qeveria e Serbisë, por edhe në kampet e policisë speciale në Beograd, njësinë e saj”, thotë ai.
Rreziku nga Serbia mbetet konstant, konsideron drejtori i Institutit “Octopus”, derisa shton se Vuçiq mund të përdorë serbët lokalë për konflikt.
“Rreziku është konstant sepse Vuçiqi e din që në aspekt klasik të futjes së ushtrisë nuk ka gjasa dhe nuk e bënë atë dhe nuk është aq i çmendur është i çmendur është deri në skajshmëri por nuk shkon në shkatërrim të shtetit të vet sepse duhet të bëjë luftë me NATO-n dhe e ka provuar njëherë dhe nuk ia kanë dalë, por çfarë do të insistojë gjithmonë është që nga brenda të destabilizojë Republikën e Kosovës dhe të sfidojë institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës duke i përdorur serbët lokalë si pjesë të konfliktit apo ata që janë të stërvitur… T’ia fillojë konfliktin më Policinë e Kosovës dhe pastaj të ketë përkrahje nga popullata e gjerë e serbëve që banojnë në veriun e Kosovës dhe kështu të fillojë një konflikt, d.m.th ky është skenari që ka gjasa se mund të ndodhë por këta mendoj që njëherë e kanë marrë përgjigjen dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme sa i përket këtyre provokimeve të ballafaqohen me to”, thotë ai.
Përkundër të gjitha zhvillimeve, përfshirë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës, Bashkimi Evropian nuk i ka hequr ende masat ndaj vendit tonë. Madje, dje zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka deklaruar se ato do të hiqen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”.
Për ekspertin e sigurisë është e papranueshme që Vuçiq të tolerohet kaq shumë nga Perëndimi.
“Është e pashpjegueshme se sa tolerohet Vuciqi nga BE-ja, respektivisht nga politika perëndimore dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të veprojë lirshëm dhe në emër të shkëputjes nga Rusia ajo nuk do të ndodhë asnjëherë. Nuk ka ndodhur me Milloesheviqin, nuk do të ndodhë as me Aleksandër Vuciqin i cili me gjasë i ka tejkaluar të gjithë mësuesit e vet, Millosheviqin, Sheshelin etj., dhe i prinë një politike skajshmërisht shoviniste dhe nuk do të ndalet së shërbyeri Putinit. Përderisa Putini është në pushtet, do t’i zbatojë politikat dhe të gjitha ato detyra që ia përcakton Putini, respektivisht taktikën dhe gjeo-strategjinë, gjeopolitikën e Putinit në Ballkan”, vijon Musliu.
Në fund, Musliu flet edhe për sulmet kibernetike, pasi vitin që shkoi është raportuar se të tilla ka pasur ndaj platformës “e-kosova” dhe Postës së Kosovës. Ai thekson se të gjitha institucionet e kanë obligim që të ndërtojnë kapacitete për mbrojtjen kibernetike. /kp/
Average Rating