Miratohet strategjia për shëndetin mendor të të rinjve – kërkohet zbatim!
Qeveria në seancën e fundit miratoi Strategjinë nacionale për shëndetin mendor të të rinjve 2024-2026, e cila është përgatitur nga Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë (KRKM). Miratimi i kësaj Strategjie, sipas Këshillit Rinor Kombëtar, është rezultat i bashkëpunimit me Qeverinë për të mbështetur mirëqenien e të rinjve si prioritet kryesor i çdo shoqërie.
“Në kohën kur të rinjtë po përballen me sfida serioze, ky lloj dokumenti është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe paraqet mbështetje të institucionalizuar, strategjike dhe sistematike për shëndetin mendor dhe mirëqenien e të rinjve në nivel kombëtar”,thonë nga KRKM.
Nga aty theksojnë se miratimi i këtij dokumenti është i një rëndësie të veçantë, pasi sipas hulumtimeve, 64 përqind e të rinjve përballen me depresion, 55 për qind me stres, 58 për qind me ankth, 56 përqind kanë mendime për vetëvrasje, ndërsa 67 përqind konsiderojnë se nevojitet kujdes më i mirë për shëndetin mendor.
“Këto statistika konfirmohen edhe nga fakti se përmbajtjet më të lexuara në historinë e KRKM janë manualet e shëndetit mendor që ofrojnë këshilla se si të rinjtë mund të njohin dhe përballojnë stresin, ankthin dhe depresionin. Ne besojmë se përmes zbatimit konsekuent të strategjisë në vitet e ardhshme do të përmirësohet dukshëm mirëqenia e të rinjve dhe do të krijohet një gamë e gjerë mekanizmash për mbështetje dhe kujdes për shëndetin e tyre mendor”, tha Filip Ivkovski, kryetar i KRKM.
Strategjia fokusohet në masat dhe aktivitetet proaktive për parandalimin dhe ndërhyrjen e hershme të problemeve të shëndetit mendor tek të rinjtë. Strategjia gjithashtu thekson nevojën për të reduktuar stigmën dhe për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin mendor dhe synon të përmirësojë aksesin në shërbime cilësore të shëndetit mendor për të rinjtë.
Strategjia thekson gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm për të krijuar një qasje holistike dhe të koordinuar ndaj shëndetit mendor, si dhe rëndësinë e mbledhjes së të dhënave dhe kërkimit për të fituar një kuptim të plotë të nevojave të shëndetit mendor të të rinjve.
Kujtojmë se sipas të dhënave të Klinikës së Psikiatrisë, një në tetë njerëz në mbarë botën përballet me vështirësi të shëndetit mendor. Adoleshentët janë një kategori veçanërisht vulnerabël dhe sipas të dhënave nga hulumtimet më të fundit në vend, 29,2% e të rinjve kanë simptoma klinike të depresionit, ndërsa 23,7% kanë simptoma klinike të ankthit në periudhën pas pandemisë COVID. Një e treta e nënave vuajnë nga simptomat e depresionit, ndërsa 28% e tyre përjetojnë ankth në periudhën pas pandemisë Covid-19.Portalb
Average Rating