Kurti: BE-ja, fati dhe qëllimi ynë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian është qëllimi dhe fati i Kosovës dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara.
Sipas Kurtit, Brukseli e Uashingtoni janë të angazhuara me Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike.
“Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma, ndërkaq mbështetja e BE duhet të jetë financiare. Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë listën e projekteve indikativë. Sa i përket reformave, aty e kemi në qendër reformën e administratës…Ndërkaq, për projekte e kemi energjinë e gjelbër”, është shprehur Kurti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nisma e vendeve të Ballkanit Perëndimor është mundësi e mirë që nuk duhet humbur, derisa ka shtuar se “është kruciale që t’i vendosim qytetarët tanë në rend të parë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për mikpritjen. Ai ka thënë se kanë pasur dhe do të kenë takime të rëndësishme për përparimin e Ballkanit Perëndimor. Ka thënë se është biseduar me përfaqësues evropian e amerikan për planin e rritjes.
Vuçiq ka thënë se është me rëndësi inkuadrimi në Tregun e Përbashkët. Ndërkohë ka folur edhe se do të nënshkruhen më 1 mars dy protokolle në kuadër të “Ballkanit të Hapur” që kanë për qëllim lëvizjen e lirë të punëtorëve.
“Ne kemi biseduar edhe për planin e zgjerimit të BE-së. Kemi biseduar për kushtet që duhet plotësuar dhe reformat”, ka thënë Vuçiq.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka thënë se plani i rritjes së BE-së paraqet një mundësi të mirë për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka thënë se shpreson që të nisë sa më shpejt.
“Është sinjal i rëndësishëm jo vetëm për shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe bizneset që duan të investojnë në Ballkan Perëndimor”, ka thënë Spajiq.
E drejtori i përgjithshëm për fqinjësinë dhe negociatat e zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, ka thënë se ky plan mund ta rrisë dyfishë ekonominë e rajonit në dekadën e ardhshme.
“Është inkurajuese të shoh se si rajoni e ka përqafuar këtë koncept. Po punon fortë në reforma që ndihmojnë drejt kësaj rritje. Liderët do të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal, e integrimin në mënyrë progresive në tregun e përbashkët të BE-së, që është shtytës i madh i rritjes ekonomike”, ka thënë Koopman.
E ndihmësekretari amerikan i shtetit për Evropë e Euroazi, James O’Brien, ka thënë se ky plan i rritjes i BE-së nuk është më ndryshe.
“Nuk është se duhet bërë reforma e më vonë do të vlerësoheni. Thotë se nëse bëni reforma të caktuara, atëherë kompanitë e njerëzit tuaj do të kenë katër liritë e BE-së. Të gjitha pajtohemi se duhet të kemi gjashtë shtetet e rajonit duke punuar bashkë, që njerëzit në rajon të kenë mundësi të ecin përpara”, ka thënë O’Brien.
Average Rating