Disa qytetarë nga Velesi i zhvatën amerikanes 6 mijë dollarë, me “Trump kartela bankare”
Ann Bratton nga Shtetet e Bashkuara mendoi se kishte gjetur një aksion, ku do të investonte gjashtë mijë dollarë dhe do të fitonte katër milionë.
Nuk e kishte idenë se pas reklamës për blerjen e “kartelave të Trumpit”, që e bëri të humbiste mijëra dollarë, qëndronte një grup njerëzish nga qyteti i Velesit të Maqedonisë së Veriut.
Grupi, prej kohësh, kishte fituar një reputacion famëkeq, duke përdorur emrin e ish-presidentit amerikan.
“Sigurohuni të na shkruani për t’ju dhënë udhëzime specifike se si t’i mashtroni amerikanët”, thotë një mesazh në gjuhën maqedonase në një kanal të mbyllur të Telegramit, i cili mund të hapet vetëm me miratimin e administratorëve.
Pas disa muajsh hulumtime dhe infiltrimi në grupe të mbyllura në platformën Telegram, Radio Evropa e Lirë identifikoi 69 individë që krijuan oferta mashtruese për shitjen e kartelave të debitit me imazhin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Gazetarët gjetën edhe 88 ueb-faqe aktive në kohën e shkrimit të hulumtimit, përmes të cilave ofrohen produkte për “patriotët amerikanë”.
Numri i shitësve që komunikojnë me klientët, mund të jetë shumë më i lartë, sepse disa kanale të mbyllura në Telegram kanë mesatarisht nga rreth 300 anëtarë.
Radio Evropa e Lirë i dërgoi disa emaile shërbimit për media të fushatës së Donald Trumpit, për ta pyetur nëse është në dijeni për ngjarjet që lidhen me shitjen e kartelave të pavlera dhe nëse planifikon të ndërmarrë diçka në këtë drejtim. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Velesi – me pak më shumë se 45.000 banorë – u bë i famshëm para zgjedhjeve amerikane të vitit 2016, kur mediat botërore zbuluan se në këtë qytet ishin krijuar më shumë se 100 ueb-faqe politike, të cilat përhapnin lajme të rreme dhe favorizonin politikën e Trumpit.
Ueb-faqet transmetonin përmbajtje nga blogjet ultra-konservatore dhe e reklamonin atë përmes Facebookut, duke gjeneruar miliona shikime në muaj.
Si funksionon skema?
Ann Bratton, bashkëbiseduesja në fillim të këtij artikulli, kaloi përmes skemës së re të krijuar në Maqedoninë e Veriut.
Kjo pensioniste 86-vjeçare, nga periferia e Nashvilles në shtetin federal amerikan të Tenesit, u interesua për një reklamë që kishte parë në Telegram, e që informonte për shitjen e një kartele debiti me imazhin e ish-presidentit amerikan, Trump.
Sipas tekstit të shkruar në reklamë, secila kartelë kishte të parapaguar 200.000 dollarë.
Bratton tha se bleu njëzet kartela të tilla, duke i paguar gjithsej 6.000 dollarë.
Duke vepruar kështu, mendoi se po siguronte një investim për familjen e saj, nga i cili, përfundimisht, do të merrte katër milionë dollarë.
Ajo nuk e kishte idenë se i gjithë rrjeti pas kësaj reklame, u krijua 8.000 kilometra larg, përtej oqeanit, në Maqedoninë e Veriut.
Matrica, në shikim të parë, duket e thjeshtë. Ajo që u thuhet qytetarëve amerikanë, është se prodhimet e blera sot me imazhin e Donald Trumpit, do të vlejnë miliona dollarë pas rikthimit në pushtet të presidentit të 45-të amerikan.
Në shitje ka kartela, monedha, afishe, pulla dhe produkte të ngjashme, që janë krejtësisht të pavlera. Të gjitha përcillen me premtimin se pas rikthimit të Trumpit në krye të SHBA-së, ato do të jenë para në qarkullim.
Pretendimet për kthimin e shpejtë financiar të parave të investuara, shpërndahen përmes kanaleve të ndryshme në internet – më së shpeshti tek ata që mbështesin ish-presidentin amerikan.
Tash për tash, nuk ka asnjë reagim nga autoritetet përgjegjëse as në SHBA, as në Maqedoninë e Veriut, ndaj faktit se qytetarët amerikanë po mashtrohen, ndërkohë që në llogaritë e shtetit të vogël evropian derdhen miliona dollarë.
Shpikja e një “sistemi të ri monetar”
“Unë i besoj presidentit Trump dhe mendoj se është i sinqertë. Besoja se po investoja në të ardhmen”, kujton Ann Bratton arsyet përse, shtatë vjet më parë, filloi të blinte suvenire të ndryshme përmes Telegramit.
Tani, ajo ka kartëmonedha me imazhin e Trumpit në to, monedha, kartela dhe, siç thotë, shumë produkte të tjera të ndryshme.
Ajo tregon se i bleu të gjitha përmes kanaleve të ndryshme që ndjek në Telegram. “Nuk më kujtohet se ku u reklamuan të gjitha”, thotë ajo.
Edhe në vitin 2016, në kanalet në Telegram u shfaqën reklama për koleksione të ndryshme, të tilla si “monedha Trump” ose “dollarë Trump”.
Sipas pretendimeve që i përcillnin, monedhat, kartëmonedhat ose kartelat do të bëheshin mjet i ligjshëm pagese në “sistemin e ardhshëm monetar të Trumpit”.
Mekanizmi u quajt TRB (Trump Rebate Banking system). Mekanizëm i mashtrimit në vitin 2022, sipas gazetës New York Times, ishte shitja e “monedhave Trump”, që kushtonin dhjetë dollarë për copë.
Për reklama u përdorën imazhe të rreme të të famshmëve, që u bënin thirrje njerëzve të investojnë sa më shpejt që është e mundur, sepse “paratë e vërteta do të zhdukeshin së shpejti”.
Në mes të vitit të kaluar, rrjeti amerikan NBC News zbuloi se tri kompani me bazë në shtetin e Kolorados, qëndronin pas këtij operacioni marketingu, dhe solli përvoja të një numri të madh viktimash.
Kur bëhet fjalë për mekanizmin e ri të analizuar nga REL-i, i cili funksionon muajve të fundit, nuk ekziston ndonjë kompani që organizon gjithçka, por sistemi bazohet kryesisht në rrjetëzimin e shitësve përmes platformave të ndryshme online.
Komunikimi bëhet përmes kanaleve të mbyllura në Telegram, ndërsa tregtarët virtualë i shpërndajnë reklamat false në kanalet e Telegramit që janë të hapura për publikun, e në të cilat shpërndahen edhe lajme me interes për anëtarët e audiencës konservatore amerikane.
Këtë herë thuhet se njerëzit që kanë produkte TRB, përfitojnë, duke marrë një kthim për fondet e investuara.
Çmimet e kartelave për pagesa arrijnë në disa mijëra dollarë secila.
“Me pak fjalë thuhet se ata kanë nevojë për këtë produkt, në mënyrë që të mund të këmbejnë me para produkte tjera TRB, duke tërhequr çdo ditë nga bankomati 5.000 dollarë. Ata mund të regjistrojnë deri në 500.000 dollarë në secilën kartelë”, thuhet në një nga kanalet e mbyllura që reklamon kartela si ajo që bleu Ann Bratton nga Tenesi.
Ajo pa një reklamë me këtë përshkrim. Siç i tha REL-it, ajo mendoi se tani mund ta këmbente në para investimin e saj afatgjatë. Një vit të tërë e kaloi në këto përpjekje, por pa sukses.
“Ky ka qenë një makth. Nëse i mbledh të gjitha, kam shpenzuar mbi 30.000 dollarë vetëm në përpjekje për t’i kthyer paratë e mia. Tani më kontaktojnë duke më thënë se duhet të paguaj më shumë”, thotë Bratton.
“Jam kontaktuar nga disa njerëz, të cilët janë prezantuar si mbështetës në kuadër të TRB-së. Një prej tyre është quajtur Abigail. I kam besuar. Kur i kam marrë kartelat, më ka thënë se duhet t’i aktivizoj. Ajo është avulluar, është zhdukur”, shton Bratton.
Ajo i mori kartelat në fillim të tetorit të vitit të kaluar.
Ajo i dërgoi REL-it me email informacione për dërgesën, si dhe fotografi të një kartele që mori.
Dhe, siç treguan hulumtimet, kjo kartelë është produkt i ofruar në një kanal të mbyllur të Telegramit, përmes të cilit komunikojnë tregtarët maqedonas.
Kodi QR nga kartela të çon në faqen e internetit https://www.trbcollectcard.net/. Duke ndjekur procedurën e regjistrimit online, përmes analizës së produktit të shitur në ueb-faqe, Radio Evropa e Lirë konstatoi se është produkt i krijuar në qytetin Veles të Maqedonisë së Veriut.
Është një faqe interneti përmes së cilës shiten kartela TRB. Përmes platformës së pagesave, mund të përcaktohet se shitja e produktit është regjistruar nga Vesna Laftova. Kontakti, emaili ose numri i telefonit i këtij personi nuk figurojnë.
Kush janë “krijuesit” nga Velesi?
Nga 69 krijues të produkteve të ngjashme në shitje, në bazë të të dhënave të marra nga rrjetet sociale, mund të konstatohet se së paku 45 syresh e kanë vendosur qytetin e Maqedonisë së Veriut, Veles, si lokacion të tyre.
Në mesin e tyre ka njerëz që prezantohen si studentë, si drejtues të këndeve të lojërave për fëmijë, si shitës të kostumeve për burra, apo si drejtues kasaphanash… Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa prej tyre, por asnjëri nuk deshi të fliste.
Dikur, Velesi ishte qyteti i dytë industrial në Republikën e atëhershme Jugosllave të Maqedonisë. Sipas regjistrimit të popullsisë më 2002 – njëmbëdhjetë vjet pasi vendi hyri në tranzicion, pas rënies së Jugosllavisë – ai kishte 10.000 të papunë, pothuajse 20 për qind të popullsisë së atëhershme.
Në regjistrimin e fundit, më 2021, afro 3.000 persona u deklaruan si të papunë.
Sipas kryetarit të Komunës së Velesit, Marko Kolev, gjurmët e kolapsit industrial janë ende të dukshme.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se pas shkatërrimit të industrisë në vitet 1990, një numër i madh i familjeve, përfshirë të tijën, mbetën pa punë.
“Disa nga të rinjtë kanë gjetur mënyra për të siguruar shpejt mjete serioze financiare, por tani shoh se edhe gjeneratat pasuese të të rinjve po e ndjekin atë rrugë”, thotë Kolev.
Fenomeni nuk është i ri, thotë ai, por shton se qyteti vetëm spekulon për atë që po ndodh dhe se ka dëgjuar se shiten “disa produkte Trump”.
Gjithçka e ka formën e një sekreti të hapur, sipas tij.
“Sinqerisht, nuk e di nëse është e ligjshme apo e paligjshme, por ndoshta ka abuzime, sepse disa nga gjërat që tregtohen në ato grupe [në Telegram] thonë se ‘nëse Trump do të vinte në pushtet, disa nga gjërat që shiten, do të kishin vlerë më të madhe’. Kështu manipulohen qytetarët amerikanë”, thotë Kolev.
Ai shton se nuk ka biseduar me organet përgjegjëse për hetime, në lidhje me këto ndodhi, pasi, sipas tij, nuk ka prova të mjaftueshme.
Inxhinieri i teknologjisë informative (IT), Borçe Pejçev, thotë për Radion Evropa e Lirë se jo gjithçka është e ligjshme. Pejçev jeton në Veles dhe punon si programues për një kompani ndërkombëtare IT.
“Para dy vjetësh më kanë kontaktuar për të krijuar faqet e tyre të internetit, për të bërë skripta për ta. I kam refuzuar. Më kanë ofruar përqindje, por u kam thënë që nuk dua”, thotë Pejçev.
Ai shton se nuk ka dashur “t’i ndihmojë njerëzit që shkelin ligje”.
Ai nuk do që të zbulojë se për cilat ueb-faqe bëhet fjalë, për shkak të “sigurisë personale”.
Në Veles ka një emër të veçantë për gjeneratat e reja që punojnë në biznesin e shitjes së kartelave, sipas tij.
“Kur shihni nëpër qytet, për shembull, një njëzetvjeçar duke vozitur një makinë të shpejtë, dijeni se ai është prej atyre që ne i quajmë “klikerë”. Sepse, në fakt, puna e tyre është me klikime”, thotë Pejçev.
Kryetari i Komunës së Velesit thotë, në anën tjetër, se ato makina të shtrenjta që shihen në qytet, janë vetëm reklamë për të tërhequr më shumë njerëz në biznes.
“Nuk mund ta detyrosh dikë që të punojë dhe të zhvillohet hap pas hapi, kur dikush në moshën e tij ka fituar gjysmë milioni euro, një milion ose dy milionë brenda natës. E shihni në Dubai duke vozitur një jaht… si mund ta detyroni bashkëmoshatarin e tij të bëhet inxhinier dhe të punojë me një rrogë mesatare në një fabrikë lokale”, thotë Kolev.
Një ueb-faqe u çaktivizua pas pyetjes së REL-it
Një nga ueb-faqet ku shitej një nga llojet e shumta të “kartelave Trump”, në fillim të shkurtit ishte e regjistruar në emër të Borçet Velkovskit, banor i Velesit. Ai i tha REL-it se roli i tij në këtë biznes ishte i vogël.
“Aty është vënë vetëm emri im, sepse kam partnerë që punojnë dhe nuk kanë mundur t’i vënë emrat. Kam një përqindje nga kjo punë, por nuk është diçka e veçantë”, thotë Velkovski, pa e specifikuar shumën.
Ai pretendon se gjithçka rreth ueb-faqes, është bërë nga njerëz të tjerë.
“Ka gjëra që nuk mund dhe nuk dua t’i them, si kush janë partnerët e mi dhe të ngjashme. Këto janë sekrete. Punojnë si të gjithë që punojnë në të gjithë botën, shesin. Kështu shiten edhe këto. Nuk e di se çfarë ka të diskutueshme”, shton Velkovski.
Me pretendimet se është “në një anë krejt tjetër”, Velkovski tha se do ta çaktivizojë atë ueb-faqe – gjë të cilën e bëri pas disa ditësh pasi që bisedoi me REL-in.
Fotografi të rreme dhe të modifikuara si reklama
Analiza e Radios Evropa e Lirë tregon se përmes kartelave të kontestuara, nuk janë bërë shitje.
Kartela TRB Collect që bleu pensionistja nga Tenesi, është një produkt i krijuar në kanalin e mbyllur të Telegramit “TRB Collect Card + Save America Coin”.
Siç shihet në vetë kanalin, ai filloi të funksiononte më 12 shtator, 2023. Udhëzimet për shitësit janë në gjuhën maqedonase.
Në kanal plasohen pothuajse çdo ditë reklama, të cilat shitësit duhet t’i shpërndajnë në kanale të tjera të hapura të Telegramit, në të cilat mblidhen ata që nuk u besojnë mediave konvencionale.
Në një periudhë prej katër muajsh, në këtë kanal u plasuan më shumë se 150 reklama për t’i tërhequr klientët amerikanë.
Reklamat e krijuara për këto qëllime, ilustrohen me fotografi të Trumpit, anëtarëve të familjes së tij, bashkëpunëtorëve dhe personazheve publike, që këto produkte i mbajnë në duar.
Të gjitha fotografitë janë të rreme – domethënë të modifikuara nga softueri në atë mënyrë që kartelat dhe monedhat futen si shtesa në fotografitë origjinale.
Në reklamat e rreme për këto produkte janë shfaqur: sipërmarrësi Elon Musk, aktorët James Woods dhe Russell Brand, gazetarët Tucker Carlson dhe Ben Shapiro, djali dhe vajza e Trumpit – Donald Trump Jr dhe Ivanka Trump, si dhe shumë të tjerë.
Edhe videot e Trumpit që reklamojnë kartelat TRB dhe ai thotë se ato janë një produkt unik, nga i cili të gjithë do të fitojnë para, janë falsifikime të thella, domethënë janë krijuar me ndihmën e një forme të inteligjencës artificiale, që mund t’i manipulojë shprehjet e fytyrës, t’i sintetizojnë fjalitë dhe fytyrën dhe, kështu, të prodhojë deklarata të rreme.
Aplikacioni Deepware – një mjet që kombinon disa sisteme që mund të përdoren për të verifikuar ekzistencën e teknologjisë së rreme në video – tregon gjithashtu se këto regjistrime janë false.
Reklamat e tilla vazhdojnë të shkojnë në kanale të hapura, ku shpërndahen kryesisht lajme të rreme e teori konspirative, që e kanë origjinën në disa blogje konservatore amerikane. Në lajme madhërohen sukseset e Donald Trumpit, ndërsa kritikohen ashpër përfaqësuesit e administratës së presidentit Joe Biden.
Si u krijua rrjeti i ueb-faqeve për shitje?
Vegëzat nga Telegrami çojnë në ueb-faqe shumë të ngjashme. Tekstet në faqet e internetit janë shumë të shkurtra dhe në shumë raste të kopjuara.
Nga 88 faqet e analizuara duke përdorur mjetin DomainTool, ishte e pamundur që të zbuloheshin pronarët e ndonjërës prej tyre me një kërkim të thjeshtë.
Domenet janë të regjistruara në kompaninë amerikane NameCheap INC.
Si adresë e ueb-faqeve, pothuajse në të gjitha rastet, është vendosur qyteti Rejkjavik i Islandës.
“Kompania islandeze që ekziston për t’i fshehur pronarët e vërtetë të ueb-faqes, quhet Witheld for Privacy. Policia islandeze po kryen një hetim kundër kësaj kompanie”, tha për Radion Evropa e Lirë detektivi dhe kryeinspektori i policisë islandeze, Steinarr Kr. Omarsson.
Ai shtoi se kompania nuk ka një zyrë të vërtetë lokale, operacione reale, apo staf real në Islandë. Sipas tij, hetimi ka treguar se kompania është një postë e kompanisë amerikane NameCheap.
“Duket se arsyeja kryesore e ekzistencës së kompanisë islandeze, është t’ua errësojë rrugën autoriteteve legjitime që duan të kenë qasje në informacione përkatëse gjatë hetimeve të tyre”, tha Omarsson dhe shtoi se Islanda do të bashkëpunojë në hetime nëse merr ndonjë kërkesë nga autoritetet përgjegjëse të vendeve të tjera.
Cili është roli i CopeCart si platformë pagese?
Rruga digjitale i çon blerësit nga ueb-faqet në platformën e pagesës, që në këtë rast është CopeCart. Kjo kompani është formuar në Gjermani, ndërsa dega e saj në SHBA ka leje për të bërë biznes në Floridë nga janari i vitit 2022.
Më shumë se 80 faqe interneti, të analizuara nga REL-i, janë të lidhura pikërisht me degën amerikane të platformës.
Nga shqyrtimi i produkteve të regjistruara, mund të konstatohet se 90 për qind e ofertave që tregtarët virtualë marrin, janë “kartela Trump”, monedha dhe produkte të ngjashme të këtij lloji.
“Për sa i përket pyetjes suaj për rreth 90 për qind të produkteve të shitura në CopeCart… nuk ka produkte (ose shërbime) të shitura në CopeCart. Ndoshta konfuzioni ka të bëjë me një treg filial, ku një përqindje e vogël e shitësve të regjistruar ofrojnë ‘komisione filialesh’ dhe janë në kërkim të referimeve për në ueb-faqet e tyre (jo CopeCart). Ky grup produktesh nuk është përfaqësues i produkteve dhe shërbimeve të shitura duke përdorur teknologjinë CopeCart”, pohojnë përfaqësuesit e kësaj kompanie në përgjigjen e tyre me email për Radion Evropa e Lirë.
Menaxheri i CopeCart në Floridë është Vsevolod Onyshkevych.
Në një bisedë të shkurtër me REL-in, ai këmbënguli se platforma CopeCart nuk ka tolerancë për asnjë mashtrim.
“Nëse ka mashtrime, ata fillimisht duhet t’i kontaktojnë shitësit. Gjithashtu mund të na kontaktojnë neve ose bankën e tyre”, thotë Onyshkevych.
I pyetur nëse i kanë raportuar këto raste tek autoritetet, ai thotë se “procedurat i zbatojnë me rigorozitet”.
Nga kompania thonë se kanë një “politikë të rreptë të zero tolerancës, në lidhje me shitjen e produkteve të caktuara”. Për të gjitha ofertat që ngjajnë me relike, duhet të deklarojnë se ato “nuk kanë vlerë parash”.
Të gjitha produktet e analizuara nga REL-i, kanë një përshkrim ku thuhet se janë suvenire.
Bankomati e kthen kartelën prapa
Kthehemi sërish te përvoja e Ann Brattonit. Kur bleu njëzet “Trump kartela”, ajo u përpoq të tërhiqte para nga një bankomat, pasi i mori kartelat në tetor.
“Mendoja se mund të shkoja në çdo bankomat dhe të tërhiqja para dhe e bëra këtë. Bankomati, automatikisht, e ktheu kartelën prapa”, tha ajo.
Ajo u përpoq të tërhiqte para nga disa bankomate, përfshirë ato të Bankës së Amerikës.
Në reklama të shumta mashtruese përmendet mundësia e tërheqjes së parave nga bankomatet. Banka e Amerikës, një nga bankat më të mëdha tregtare në SHBA, është banka më e përmendur, nga ku supozohet se mund të tërhiqen para.
“Banka e Amerikës nuk ka asnjë lidhje me ato produkte. Ato janë suvenire”, tha për Radion Evropa e Lirë William Halldin, përfaqësues për media i Bankës së Amerikës.
Ai shtoi se nuk ka raporte të sakta se sa njerëz u përpoqën t’i kthenin në para këto produkte.
I pyetur nëse këto kartela mund të paguhen në ndonjë mënyrë në Bankën e Amerikës, Halldin tha: “Jo, në asnjë mënyrë”.
Bazuar në Ligjin për qasje në informacione, REL-i iu drejtua edhe Komisionit Federal të Tregtisë në SHBA për këtë temë, por nuk mori përgjigje.
Nëse tingëllon shumë mirë për të qenë e vërtetë, ndoshta edhe nuk është
Scott E. Augenbaum, agjent në pension i FBI-së, i tha Radios Evropa e Lirë se pjesa më e vështirë e punës është t’u shpjegohet qytetarëve që blejnë një artikull të tillë, se, me shumë mundësi, nuk do t’i kthejnë kurrë paratë e tyre.
“Nëse tingëllon shumë mirë për të qenë e vërtetë, ndoshta edhe nuk është. Unë, thjesht, u them njerëzve: kini kujdes! Sepse, nëse e kemi zonjën nga Tenesi, ju garantoj se ka mijëra njerëz që bien pre e këtyre mashtrimeve”, thotë Augenbaum.
“Brenda Shteteve të Bashkuara, në FBI, ne kemi diçka që quhet Qendra e Raportimit të Krimeve në Internet. Aty i marrin të gjitha këto ankesa që vijnë nga publiku i gjerë, i bashkojnë dhe pastaj hapin raste nëse ka shumë”, shpjegon Augenbaum.
Nga FBI-ja, e cila është përgjegjëse për hetimin e këtyre llojeve të mashtrimeve, i thanë shkurtimisht REL-it se “si rregull, ata nuk bëjnë asnjë deklaratë për hetimet e mundshme në vazhdim”.
Në këtë mënyrë mbeti pa përgjigje edhe pyetja nëse ka ndonjë hetim për Maqedoninë e Veriut.
Maqedonia e Veriut nuk ka raportime të mashtrimit
Bllazho Trandofilov, drejtor i Administratës maqedonase për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave, tha për Radion Evropa e Lirë se një pjesë e madhe e parave të fituara nga këto grupe, nuk shihet, dhe se është e mundur që ato merren në vende të tjera.
“Nëse dikush do të raportonte në shërbimet e inteligjencës amerikane, procedura është që ato të na informojnë. Megjithatë, ne nuk kemi marrë njoftime të tilla, as raportime për ndonjë mashtrim”, tha Trandofilov.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike të Maqedonisë së Veriut, në dy vjetët e fundit, 98 persona nga rajoni i qytetit të Velesit, të moshës deri në 35 vjeç, kanë raportuar të hyra nga SHBA-ja në vlerë prej 634.198.939,00 denarësh, që do të thotë më shumë se 11 milionë dollarë.
Siç thanë nga ky institucion për REL-in, shumica e këtyre të hyrave janë krijuar nga marketingu dhe shërbimet e internetit.
Ann Bratton nga Tenesi tha se ende nuk e ka raportuar rastin e saj, sepse është “duke pritur shansin e fundit”.
Një ditë para se të fliste me REL-in në fund të janarit, ajo u kontaktua përsëri nga TRB-ja. Iu tha se do t’i humbiste të gjitha investimet e saj nëse nuk do të paguante edhe 400 dollarë.
Tha se dëshiron të përpiqet t’i ruajë investimet e saj edhe njëherë, përpara se të shkojë në FBI.
“E, çfarë do të bënit ju”, pyeti Bratton.
Average Rating