
ZBEHET RRITJA EKONOMIKE NË RMV!
Ekonomia e Maqedonisë së Veriut pritet të ketë një rritje ekonomike prej 3 për qind për vitin 2025. Ky është parashikimi më i fundit i raportit të publikuar nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) për Maqedoninë . Sipas tij, është zvogëluar parashikimi për rritjen ekonomike të vendit për 0.5 për qind, apo nga 3.5 në 3 për qind. Me fjalë tjera, ekonomia e vendit do të rritet sërish në mënyrë modeste pas rritjes prej 2.4 për qind të parashikuar në vitin 2024.
Në vitin e kaluar ajo u mbështet kryesisht nga qeveria dhe konsumi privat pasi inflacioni u lehtësua dhe u zgjeruan kreditë . Nga ana tjetër, shënon rënie prodhimi industrial , ndërsa deficiti tregtar u zgjerua me 16.1 për qind, duke arritur në 3.28 miliardë euro, kryesisht për shkak të kërkesës së ulët të eurozonës. Në një notë pozitive, agjendia kreditore S&P apo Standard and Poor’s afirmoi vlerësimet e kredisë sovrane BB-/B të Maqedonisë së Veriut në janar 2025, duke mbajtur një perspektivë të qëndrueshme .Njëherësh ekonomia ka përfituar nga flukset e forta të Investimeve të huaja . Duke parë përpara, rritja parashikohet të arrijë në 3.0 për qind si në 2025 ashtu edhe në 2026.
Rreziqet e rritjes ekonomike sivjet lidhen me hapjen e lartë tregtare të vendit dhe ekspozimin ndaj ekonomive të eurozonës, veçanërisht industrisë gjermane të automobilave, e cila mund të ndikohet nga tensionet e vazhdueshme tregtare. Nga ana pozitive, ka potencial për rritje më të lartë nëse reformat strukturore zbatohen në mënyrë efektive dhe projektet ambicioze të investimeve kapitale kryhen me sukses, megjithëse mbeten shqetësimet për hapësirën fiskale të vendit dhe kapacitetin për zbatimin e projekteve të tilla.
Rritja në Ballkanin Perëndimor pritet të mbetet e qëndrueshme në 3.6 për qind si në vitin 2025 ashtu edhe në vitin 2026. Rishikimi në rënie i parashikimit për këtë vit reflekton kërkesën e jashtme më të dobët dhe ndikime më të vogla të brendshme nga projektet e investimeve publike në kushtet e tregjeve të shtrënguara të punës. Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, vitin e kaluar rritja ekonomike qëndroi rreth të njëjtit nivel si në vitin 2023, në 3,5%, për shkak të kërkesës së jashtme të dobët nga partneri tregtar më i rëndësishëm i rajonit, Bashkimi Evropian. Turizmi ka qëndruar i fortë, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë (përfshirë vizitat e diasporës nga Evropa Perëndimore), dhe në një masë më të vogël në Mal të Zi. Raporti i ri, i titulluar “Momenti më i dobët mes tregtisë dhe investimeve të fragmentuara”, thekson vrullin e ulët të rritjes globale dhe një hendek të vazhdueshëm midis performancës së ekonomive të përparuara evropiane dhe asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai përmend pasigurinë në rritje rreth rritjeve të mundshme të tarifave për importet e SHBA dhe masat hakmarrëse nga partnerët tregtarë. Sipas raportit, vetëm pasiguria e rritur është e mjaftueshme për të dekurajuar investimet, për të dobësuar prodhimin dhe për të prishur zinxhirët e furnizimit global. Duke parë përtej pasigurisë, ndikimi afatshkurtër i tarifave dhe kufizimeve tregtare në ekonomitë individuale do të varet nga fakti nëse tarifat zbatohen universalisht apo vetëm për partnerët e zgjedhur tregtarë.
Nga shtetet e rajoni, Kosova do të ketë rritjen më të lartë prej 4 për qind. Shkallë e lartë e rritjes ekonomike parashikohet me 4 për qind edhe për Serbinë. Me rritje të lartë ekonomike do të dallohet edhe Shqipëria me 3.7 për qind. Sllovenia do të ketë rritje prej 2 për qind, Bullgaria prej 2,4 për qind, Greqia prej 2.3 për qind, Bosnje e Hercegovina prej 2.8 për qind, Mali i Zi prej 2.9 për qind. /Koha/
Average Rating