Vazhdon diskriminimi dhe zhvatja e tetovarëve me çmimet absurde të faturave për mbeturinat, reagoi MMPT
Komuna e Tetovës ka sjellë vendim skandaloz që bën ndarje dhe diskriminim mes banorëve të Tetovës duke i ndarë në qytetar-fshatar, të pasur-të varfër dhe mërgimtar-vendas. Kështu kanë reaguar sot nga nisma qytetare ‘Më Mirë për Tetovën’ (MMPT) në lidhje me vendimin që solli Këshilli Komunal për çmimoren e mbeturinave pas tollovisë së krijuar me faturat e larta, shkruan Portalb.mk.
Më Mirë për Tetovën thekson se në vend që të përmirësohet gabimi me çmimet e larta të faturuara nga ndërmarrja ‘Saubermacher’, u soll vendim absurd.
“Duke mos ditur se si të menaxhojnë me situatën kaotike që vetë e krijuan, udhëheqësia e komunës solli një vendim skandaloz që bën ndarje dhe diskriminim mes banorëve të Tetovës. Komuna i ndau banorët në qytetar-fshatar, të pasur-të varfër dhe mërgimtar-vendas. Sipas marrëveshjes së re faturat për qytetin do të faturohen sipas m2, ndërsa për fshatrat do të vlej çmim paushall”, tha Agron Arifi nga MMPT.
Ata thonë se kryetari i komunës dhe këshilltarët duhet ta kenë të qartë se vendimet në këshillin komunal duhet të vlejnë njëjtë për të gjithë banorët e komunës së Tetovës dhe nuk mund të bëhet dallim mes tyre.
“Çdo tentim për ndasi dhe vendime me standarde të dyfishta për banorët është diskriminim i pastër. Faturat e reja do të rëndojnë edhe më tej gjendjen ekonomike të qytetarëve të cilët edhe ashtu ballafaqohen me çmime të larta të rrymës dhe harxhimeve të përditshme”, tha Arifi.
Ata apeluan që në seancën e radhës ku do të vazhdojë diskutimi për përcaktimin e çmimit edhe për qytetin, qytetarët t’i kundërvihen këtij diskriminimi dhe zhvatjeje nga komuna.
Pyetëm në Komunën e Tetovës se çfarë do ndërmarrin për këtë, në fillim na thanë se duhet të trajtohemi te ‘Saubermacher’, ndërsa pastaj të dërgojmë pyetje në emailin e komunës, por përgjigje deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm.
Pas kaosit me ankesat e qytetarëve të Tetovës për marrjen e faturave të larta për shërbimet komunale nga ‘Saubermacher’ (mbeturina, ujë, kanalizim, pastërti publike), Këshilli i Komunës së Tetovës me 5 prill 2024 në seancë të jashtëzakonshme solli vendim me të cilin pjesërisht bëhet ndryshimi i çmimores për mbeturinat të cilin e sollën me 12 janar 2024.
Vendimi që solli Këshilli Komunal përfshin:
- Çmimi për grumbullimin e mbeturinave të amvisërive (sipërfaqe banimi për m2) për qytetin do të jetë 3,20 denarë për metër katror.
- Çmimi për grumbullimin e mbeturinave të amvisërive për zonat rurale – fshatrat: Reçicë e Vogël, Reçicë e Madhe, Falisht, Saraqinë, Poroj, Xhepçisht do të jetë 540 denarë në muaj.
- Çmimi për grumbullimin e mbeturinave për amvisëri në zonat rurale – fshatrat në zonën malore: Bozofcë, Veshallë, Gajre, Llacë, Lisec, Shipkovicë, Jedoarcë, Otunje dhe Setole do të jetë 340 denarë.
- Çmimi për grumbullimin e mbeturinave të amvisërive për personat rezident dhe ato jorezident që kanë dy ose më tepër objekte banesore, për objektet që nuk paraqiten si vendbanim i pronarit do të faturohen vetëm 50% e hapësirës banesore.
Ky vendim nuk u pranua as nga opozita në Këshillin Komunal të Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës kanë sqaruar se nëse qytetarët kanë marrë fatura më të larta për muajin shkurt, në muajin mars dhe prill do të ju minusohen, pra do ju vijnë faturat në vlerë 0 derisa të vijnë në vlerën që kanë paguar paraprakisht për muajin shkurt.
Qytetarët për ankesa mund të drejtohen në zyrat e ‘Saubermacher’ në fshatin Pallçisht, në zyrat e NPK-së te Tregu i Gjelbër në Tetovë dhe te sportelet në komunë.
Ndërmarrja ‘Saubermacher’ e cila lëshon faturat, ka theksuar se ata vetëm bëjnë faturimin ndërsa se vendimet për çmimoret i sjell komuna dhe se të dhënat e përllogaritura në fatura janë të marra nga komuna.
Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.
Average Rating