RMV, rrjedhin afatet për të vendosur, katër kandidatë për deputetë në betejë për dy kolltukë deputetësh
Të premten, më 17 maj, kur skadon afati për marrjen e vendimit për ankesat e parashtruara në Gjykatën Administrative, do të bëhet e ditur nëse ka bazë për rivotim në shtatë qendra votimi, gjashtë prej të cilave janë në njësinë zgjedhore 5 dhe një vendvotim në njësinë zgjedhore 6.
Sipas rregullave zgjedhore, nëse rivotohet në ato vende ku janë regjistruar rreth një mijë zgjedhës, kjo mund të ndikojë në përbërjen parlamentare pas zgjedhjeve. Ish-kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski, sqaron se nëse vendimi i KSHZ-së për rivotim vërtetohet në Gjykatën Administrative, do të duhet të bëhet kalkulim sipas modelit Dont, nëse rivotimi në këto vendvotime do të shkaktojë një ndryshim në numrin e mandateve.
“Nëse vërtetohen vendimet e KSHZ-së, atëherë me siguri do të ketë rivotim, nëse disa pranohen e disa refuzohen, atëherë merret numri i përgjithshëm i votuesve në ato vendvotime, kontrollohet nëse numri i votuesve korrespondon me mandatet e fundit të fituara dhe bëhet një përmbledhje. Pas kësaj KSHZ-ja vendos konform ligjit dhe nëse ka ndikim në numrin qoftë edhe një votë, duhet të lejojë rivotim”, sqaron Novakovski.
Më shumë se katër mijë qytetarë do të kenë të drejtën e votës për herë të dytë në zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhja e tyre mund të ndryshojë shpërndarjen e forcave në Kuvend me dy mandate parlamentare.
Disa vota mund të vendosin se kush do të marrë një deputet
Më 8 maj votuan 2.584 votues për zgjedhjet parlamentare nga votuesit e regjistruar në shtatë vendvotimet e kontestuara. Në njësinë numër pesë për VMRO-DPMNE-në votuan gjithsej 800, ndërsa për koalicionin e udhëhequr nga LSDM-ja 365. Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja ka fituar 367 vota, kundrejt 315 votave të fituara nga koalicioni VLEN.
Në Zhelinë, e cila është pjesë e njësisë së gjashtë zgjedhore, ku janë të regjistruar 992 votues, në zgjedhjet e 8 majit kanë votuar 479 persona. Më së shumti prej tyre shkuan në dobi të koalicionit Vlen, gjithsej 332, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga BDI-ja fitoi 134 vota, kurse LSDM-ja vetëm 4. Në Zhelinë kërkohet rivotim për shkak se 110 votues nuk kanë votuar duke ua kontrolluar shenjat e gishtave të tyre në një pajisje, por vetëm duke ua kontrolluar numrin amë dhe duke ua skanuar kartën e identitetit.
Ka shumë kombinime se kush mund të fitojë ose humbë një deputet sepse diferenca është vetëm rreth njëqind vota. Novakovski thotë se në aplikimin e formulës për ndarjen e mandateve, në fund edhe vetëm disa vota mund të bëjnë ndryshim.
“Për shembull, në Zhelinë, ku janë 992 votues të regjistruar në listë, mundësia për të ndryshuar një mandat parlamentar është e madhe”, shpjegon ai.
Sipas përllogaritjeve të partive, BDI-ja mund të humbasë më së shumti, madje dy deputetë, e LSDM-ja mund të fitojë një plus.
Në disa variante, edhe koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mund të marrë deri në dy deputetë, por kjo varet nga modeli i Dont-it, i cili mund të “vendosë” me një votë plus-minus, sepse diferenca në rezultatin përfundimtar nuk është më shumë se 200 vota.
Edhe VMRO-DPMNE edhe LDP shpresojnë për një deputet plus
Koalicioni “Maqedonia juaj”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, shpresojnë të rrisin 58 mandatet e tyre parlamentare për plus dy në llogari të BDI-së, e cila fitoi 19 mandate. Në njësinë e pestë zgjedhore presin një deputet më shumë në favor të tyre. Kjo do të thotë se në vend të kandidatit tashmë të zgjedhur për deputet të BDI-së, Ismail Jahoski, babai i pronarit të Pucko Petrol, Asmir Jahoski, në kolltukun e deputetit do të mund të ulet Llaze Jaqimoski, i cili ishte i njëmbëdhjeti në listën e kandidatëve. Për momentin është e sigurt që dhjetë kandidatët e parë për deputetë të këtij koalicioni nga zona e 5-të do të hyjnë në kuvend. Për ta fituar edhe Jaqimoskin në Kuvend, atyre u duhet një fitore prej së paku 150 votash diferencë.
“Mund të ndryshohet numri në rezultatet zgjedhore te pesa dhe gjashta dhe të futet nga një deputet nga koalicioni ynë, numrat janë shumë afër, është rivotim, nuk mund të dihet me siguri”, thonë nga VMRO- DPMNE.
Por, shans për deputet plus në këtë njësi zgjedhore konsideron se ka edhe koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, në llogari të Jahoskit. Ato shpresojnë se me fitoren e zgjedhjeve, deputeti i PLD-së, Bobi Mojsovski, i cili ka një mandat deputeti pas vetes, do të mund të hyjë në përbërjen e re parlamentare. Sipas përllogaritjeve të tyre, në rivotim do të duhen rreth 200 vota më shumë se ato të fituara më 8 maj.
Edhe vlen ia ka vënë syrin kolltukut të Isakit nga PDSH-ja
Në njësinë e gjashtë zgjedhore kandidatja për deputete nga koalicioni Vlen, Ymërlije Saliu Fetai, mund të ulet në kolltukun e fituar nga ish-zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Fatmire Isaki nga PDSH-ja, pjesë e koalicionit të Frontit Evropian të BDI-së. Sipas të dhënave me karakter publik, Saliu Fetai ka qenë e punësuar në komunën e Gostivarit në nëntor të vitit 2022 si ndihmës udhëheqëse e departamentit për mbështetje të kryetarit Arben Taravari.
“Ne presim që të ketë rivotim në Zhelinë dhe në një vendvotim në Gostivar, për të cilin kemi dorëzuar ankesë në Gjykatën Administrative. Me rivotim presim që qytetarët të na mbështesin ne në ato qendra votimi”, thonë nga koalicioni Vlen.
Por në mandatet e tyre do të ketë lëvizje për një deputet.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili ishte bartës i listës në njësinë e gjashtë zgjedhore, nuk do të heqë dorë nga posti i kryetarit të komunës.
“Sa i përket zgjidhjes time, vetë tetovarët treguan se në Tetovë më presin shumë punë, të cilat janë të hapura dhe të cilat duhet të vazhdojnë dhe do të duhet të vazhdojnë me përgjegjësi. E gjithë kjo betejë nuk ishte individuale, por ishte një betejë që shqiptarëve t’jua kthejmë dinjitetin”, tha Kasami.
BDI e pakënaqur nga vendimi për rivotim
Kjo do të thotë se nëse realizohen planet e tyre dhe marrin një deputet shtesë në kurriz të Isakut nga PDSH-ja, në Kuvend do të ulet edhe Adnan Aziri, i cili nga shumica e mëparshme qeverisëse në vitin 2020 u emërua drejtor i Hekurudhave të Maqedonisë-Transport.
Nga ana tjetër, koalicioni i VMRO – DPMNE-së shpreson që në vend të Isakut do të ulet Erdogan Saraç, kryetar i Lëvizjes për Bashkim Kombëtar të Turqve në vendin tonë.
Fronti Europian dorëzoi ankesë pranë Gjykatës Administrative për vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili pranoi ankesat për parregullsi në shtatë qendra votimi, në të cilat mund të ketë rivotim. Sipas Bujar Osmanit nga BDI populli ka qenë dëshmitar i shkeljes brutale të procedurave të KSHZ-së dhe vjedhjes së vullnetit zgjedhor.
“Mendoj se Gjykata Administrative duhet t’i refuzojë sepse nuk ka bazë faktike. Të gjitha vendimet u morën me marrëveshje politike, me mazhoritarizëm që shqiptarëve ua kujtoi edhe një herë mazhoritarizmin e viteve ’90. Nuk ka asnjë bazë për këto vendime, sidomos në vendlindjen e liderit të njërës prej këtyre partive politike opozitare, ku fituan me rezultat 2:1, të dorëzosh ankesë për aty ku mendon se ke kontroll mbi elektoratin është fyerje në radhë të parë për ata banorë të fshatit Larcë, se janë vjedhës votash, por edhe së dyti, që i kontrolloni dhe në rivotim do të mund të nxirrni dhe ta tejkaloni diferencën që ta zvogëloni numrin e deputetëve të Frontit”. deklaroi Osmani.
Nëse Gjykata Administrative i refuzon ankesat e Frontit Evropian, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të duhet të vendosë nëse do të ketë rivotim në këto shtatë vendvotime. Afati i vendimit skadon të premten (17 maj) në mbrëmje.
Sipas rezultateve fillestare të zgjedhjeve, VMRO-DPMNE fitoi 58 mandate parlamentare, BDI-ja 19, ndërsa LSDM-ja 18. Nga koalicioni Vlen në përbërjen parlamentare hyjnë me 13 deputetë, ndërsa partitë E majta dhe ZNAM me nga 6 deputetë.
Sipas rezultateve fillestare zyrtare për zgjedhjet parlamentare të shpallura nga KSHZ, Koalicioni “Maqedonia juaj” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar 58 mandate parlamentare, e ndjekur nga Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI me 19 mandate parlamentare, Koalicioni Për një të ardhme evropiane të udhëhequr nga LSDM me 18, Koalicioni VLEN me 13 dhe Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe të majtën pas gjashtë mandateve parlamentare.
Të Tjera
“Ma shau motrën”! Apasiev “ju kërkon fer” deputetëve të VMRO-së!
Deputeti dhe lideri i së Majtës, Dimitar Apasiev, në seancën e sotme të Kuvendit fillimisht ka hyrë në një debat...
Osmani: Çdo përpjekje për të minuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, do të përballet me kundërshtim të vendosur dhe unitet të palëkundur!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj para deputetëve në Kuvendin e Kosovës tha se po i ndjek...
Shqipja në Maqedoninë e Veriut: Çfarë po e pengon zbatimin e Ligjit për gjuhët?
Një deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, rreth përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, u bë një...
“Rrugës së Butiqeve” në Tetovë i kthehet pamja e vjetër, gjatë ditës do të mbyllet për makinat
“E konstruuar sipas modelit që ishte dikur, ende pa u përfunduar edhe pse kanë mbetur edhe shumë pakë ditë, sot,...
Kurti për bashkimin kombëtar: Jo, nuk është tash koha për këtë
“Jo, nuk është tash koha për këtë”, kështu i është përgjigjur pyetjes së prestigjiozes zvicerane “Neue Zurcher Zeitung”, kryeministri Albin...
Sela thirrje Mickoskit: Ta heqim 20%, meqë nuk keni asgjë kundër shqipes
“Në Maqedoni askush nuk është kundër gjuhës shqipe”, kështu tha kryeministri Hrisitijan Mickoski, deklaratë për të cilën i reagoi kryetari...
Average Rating