Fushata zgjedhore duhet të jetë paqësore dhe e moderuar!
Nuk mjaftojnë vetëm shprehjet verbale pas zgjedhjeve që kishim zgjedhje fer dhe demokratike, pjesë e pandashme e zgjedhjeve është periudha e fushatës zgjedhore e posaçërisht edhe para fushata. Prandaj, kujdes nuk nënkupton vetëm ditën e votimit por në vazhdimësi gjatë tërë periudhës. Fjalori i platformës zgjedhore nuk premton një fushatë të drejtë, vlerësojnë analistët politik në vend. Sipas tyre politikanët duhet t’i drejtohen realitetit, e jo të ashpërsojnë retorikën e fushatës, sepse në fund të ditës pasojat sërish do ti kenë qytetarët. Por, sado do të veprojnë në bazë të kësaj politikanët mbetet të shihet ditëve në vijim, shkruan Zhurnal.
Partitë të mos e ashpërsojnë retorikën e fushatës, sepse bien në kundërshtim me vlerat demokratike –
Sa më e ashpër retorika aq më i dobët rezultati në zgjedhje, sepse është veprim kontradiktor. Nuk mundet gojën plotë fushatë paqësore e zgjedhje demokratike, kur nga ana tjetër në fushata ka sharje, ofendime, shpifje e paragjykime nga më të rëndat. Prandaj, ashtu siç flasin duhet edhe të jenë të përmbajtur e të moderuar në aspekt të kalimit të këtyre ditëve që po futen drejt fushatës zgjedhore.
Profesoresha Jasna Baçevska, thotë se partitë duhet largohen nga akuzat dhe fyerjet e përditshme për kandidatët presidencial dhe të përqendrohen në ofertat e tyre zgjedhore.
“Nuk pres ndonjë fushatë të lartë shoqërore, e cila do të qetësojë në një farë mënyre shoqërinë, duke u larguar ata vetë nga akuzat e përditshme dhe nga ofendimet që i përcjellin përmes mediave, portaleve, por edhe rrjeteve sociale. Fushata parazgjedhore filloi me akuza nga partitë dhe etiketimin e kandidatëve për president të vendit, prandaj pres një fushatë negative.” – tha profesoresha, Jasna Baçevska.
Analisti Asorvski, thotë se partitë duhet të kthehen në shtjellimin e programeve të tyre, projekteve dhe obligimeve që marrin para qytetarëve.
Zgjedhjet parlamentare do ti shfrytëzojnë si indikator, se si do të shpërndahet vota në zgjedhjet parlamentare, prandaj dhe janë kaq të fokusuar, thotë Arsovski.
“Tani është më e lehtë se kemi emra konkret dhe kjo mund të përdoret dhe si indikator se si do të shpërndahen votat në zgjedhjet parlamentare, sepse këtu veç më tani qytetarët i kanë ofertat më të pastërta, i din kush janë kandidatët presidencial dhe shumë e kanë të lehtë të ndajnë mendjen se për kë do të votojnë. Prandaj dhe fushatën partitë politike e kanë nisur shumë më herët, që të mund të bëjnë kalkulimet e tyre se si do jenë në zgjedhjet presidenciale dhe çka të presin nga ato parlamentare. Besoj se partitë duhet të kthehen në shtjellimin e programeve të tyre, projekteve dhe obligimeve që marrin para qytetarëve”. – deklaroi analisti, Petar Arsovski.
Megjithatë, qytetarët dinë dhe munden pasi kanë vetëdijen e mjaftueshme për të bërë gjykime reale e objektive për gjitha veprimet që realizohen në kohë fushate. Me dozë të lartë të premtimeve janë adaptuar qytetarët, por asesi nuk e falin dhe tolerojnë gjuhën e urrejtjes, shpifjet e ofendimet sepse këto vese janë të papranueshme në një rreth shoqërorë të shëndoshë.
Sa është i rëndësishëm edhe edukimi mediatik në kohë të fushatave zgjedhore –
Edukimi mediatik në çdo kohë është i rëndësishëm, sepse si zakonisht gjatë gjithë kohës jemi të ekspozuar nga informacione pafund, pa numër, e nga gjitha anët e botës, por gjatë kohës së fushatave zgjedhore edukimi mediatik duhet të jetë i domosdoshëm për secilin vend, edhe për Maqedoninë e Veriut, sepse mediat janë pasqyra dhe dritarja përmes të cilës kandidatët dhe partitë politike tentojnë të futen në shtëpitë e qytetarëve, edhe gjatë natës edhe gjatë ditës deri ditën e zgjedhjeve.
Por, çfarë janë fushatat zgjedhore, dhe pse pikërisht gjatë kësaj periudhe është i rëndësishëm edukimi mediatik? “Fushata zgjedhore është paraqitje publike e kandidatëve të konfirmuar nga organet kompetente dhe programet e tyre në periudhën parazgjedhore për zgjedhje të caktuara”, thuhet në fjalorin në nenin 2 të Kodit Zgjedhor.
Sipas ligjit, fushata fillon 20 ditë para rrethit të parë të zgjedhjeve, gjatë kësaj periudhe fluksi i qarkullimit të informacioneve në mediat tradicionale e ato digjitale është shumë i lartë, gjë që rrit me automatizëm edhe ekspozimin e qytetarëve ndaj lajmeve dhe informatave me natyra e qëllime të ndryshme. Edukimi mediatik gjatë kohës së fushatave mbron qytetarët nga “dezinformatat” dhe “lajmet me porosi”, sikurse ombrella nga shiu i rrëmbyeshëm i vjeshtës. Dezinformatat dhe lajmet me porosi qarkullojnë pa ndalë, sepse interesi i partive të ndryshme është i lartë për të depërtuar deri te grupet e synuara, ndërkaq, qytetarët e edukuar mirëfilli janë të gatshëm e në gjendje të klasifikojnë dhe përzgjedhin lajmet dhe informacionet nga cilat burime do t’i marrin.
Në realitet fushatat zgjedhore vetëm zyrtarisht fillojnë 20 ditë para zgjedhjeve, sepse në realitet dhe praktikë fillojnë shumë më herët se kaq, dhe mediat gjatë gjitha zhvillimeve që ndodhin në terren raportojnë, organizojnë debate të ndryshme, gjë që ndihmon edhe më shumë fushatën e pa filluar. Dhe, kjo periudhë e cila lirshëm mund të quhet si “parafushatë” është pikërisht edhe më delikate se fushata, sepse gjithçka veprohet jo zyrtarisht por qëllimi mbetet po i njëjti sikurse gjatë fushatës, promovim dhe bindje.
Kujtojmë që, fushata elektorale për rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit fillon më 4 prill dhe zgjat 20 ditë. Rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare. /Zhurnal.mk
Average Rating