Sot 1 Prilli, “Dita e Gënjeshtrave”/ Njihuni me historikun
Sot, më 1 prill, shënohet “Dita e Gënjeshtrave” e cila mendohet se daton që nga viti 1582, kur Franca kaloi nga kalendari Julian, në kalendarin Gregorian dhe jo të gjithë njerëzit e kuptuan se fillimi i Vitit të Ri, ishte zhvendosur më 1 janar. Në këtë ditë, pothuajse në të gjithë botën, shumë nga njerëzit angazhohen që të jenë sa më kreativ në sajimin e gënjeshtrave, në mënyrë që ato të jenë sa më të besueshme.
E kujtojmë shakanë e TV BBC, kur më 1 prill të vitit 1957, bëri që mijëra shikues të besojnë një raport të publikuar në gjigantin e informimit, sipas të cilit, shkencëtarët kishin zbuluar në Zvicër, pemë që prodhonin pasta apo shpageta.
Prandaj sot, para se të dëgjoni fjalën “Apri-li-li-li”, keni kujdes e mos bini pre e shakave ose mashtrimeve!
Versione për origjinën e Ditës e Gënjeshtrave, ose Ditës së Rrenave
Ndërrimi i Kalendarit në Francë
Ndonëse origjina e saktë e kësaj dite nuk është provuar deri më tani, historianët spekulojnë se i ka rrënjët në vitin 1582, në Francë, kur ky vend kaloi nga kalendari Julian në kalendarin Gregorian.
Në kalendarin Julian, viti i ri fillonte rreth datës 1 prill. Por thuhet se shumë njerëz e morën lajmin me vonesë, dhe e festuan Vitin e Ri rreth kësaj date. Ndaj këtyre njerëzve filluan të bëheshin shaka, e t’u thuheshin gënjeshtra, përderisa ata po manifestonin diçka jo të vërtetë.
Hilaria në Romën e Lashtë
Disa historianë e lidhin Ditën e Gënjeshtrave me festën Hilaria (latinisht “e gëzueshme”), e cila festohej në Romën e Lashtë në fund të marsit nga ndjekësit e kultit të Kibelës, perëndeshë greke. Gjatë kësaj dite, njerëzit vendosnin maska dhe bënin shaka me njëri-tjetrin.
Ekuinoksi pranveror
Ka spekulime se Dita e Gënjeshtrave lidhej me Ekuinoksin pranveror, ose ditën e parë të pranverës në hemisferën veriore, kur “Nëna Natyrë” mashtronte njerëzit me ndryshimin e paparashikueshëm të motit.
Kur “mashton” natyra – Plakat e marsit
Dita e Gënjeshtrave përkon si datë me legjendën e Plakave të Marsit, që haset në shumë krahina të Shqipërisë.
Në fund të marsit, nga aty ku moti ishte përmirësuar e kishte ditë me diell, fillojnë reshje dhe temperaturat ulen. Sipas gojëdhënave, ky fenomen i natyrës shpjegohet përmes legjendës së Plakave të marsit.
Legjenda thotë se plakat dolën në mal duke kullotur dhentë, të lumtura se ishin ditët e fundit të marsit dhe dimri mbaronte. Kështu, plakat filluan ta shajnë dimrin, me idenë se ia hodhën stinës së ftohtë.
Mirëpo marsi nuk e priti mirë reagimin e plakave, dhe ashtu siç nëpër mite e legjenda natyra merr veti njerëzore, marsi u inatos me plakat. Ai i kërkoi shkurtit 3 ditë hua për ta zgjatur dimrin. Prej kësaj, thonë legjendat, shkurti ka 3 ditë mangët.
Average Rating