Parlamentaret/ Ja çfarë premtuan politikanët
Koalicioni VLEN në kuadër të fushatës zhvilloi takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Bilall Kasami nga VLEN tha se në takim është biseduar lidhur me bashkëpunimin për pjesën ekonomike të programit të koalicionit si dhe mundësinë e bashkëpunimit si qeveri e ardhshme me bizneset.
“Besojmë fuqishëm që pas 8 majit, koalicioni VLEN si pjesë e Qeverisë do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të bizneseve tona me qëllim të ndaljes së këtij ekzodusi të rinisë tonë dhe qytetarëve tonë drejt perëndimit ”, tha Bilall Kasami, VLEN.
Bujar Osmani nga Fronti Evropian tha se gjatë formimit të një qeverie stabile duhet pasur parasysh se përveç shumicës prej 61 deputetësh nevojitet edhe shumica e badinterit. Pa këtë shumicë të dyfishtë shtoi ai, nuk mund të formohet qeveri stabile dhe nuk mund të ketë parlament funksional.
“Derisa VMRO-DPMNE dhe aleatët e saj çdo ditë reciklojnë teza nacionaliste, koketojnë me rryma proruse, kërcënojnë hapur gjithë luftën e lavdishme të 2001-shit, shtojnë tensionet mes bashkësive etnike dhe fetare në vend. Ne jemi fronti që garanton stabilitet dhe bashkëjetesë”, u shpreh Bujar Osmani, BDI.
Në kuadër të fushatës kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski zhvilloi takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Nga atje Kovaçevski nënvizoi se nuk do të heq dorë nga rruga evropiane e vendit, duke nënvizuar se efektet e anëtarësimit janë pozitive edhe për qytetarët edhe për kompanitë.
“Nëse dikush ka përfitime prej hyrjes në BE, ai është sektori I biznesit dhe punëtorët. Përse sepse kompanitë tek ne, sot punojnë në treg prej 1.8 milion banorë, gjegjësisht blerës potencialë…Në rast të hyrjes në BE kompanitë tona do të punojnë në treg prej gjysmë miliardi banorë”, theksoi Dimitar Kovaçevski, LSDM.
VMRO-DPMNE u premtoi banorëve të Sveti Nikollës se do ta ndërtojnë gazsjellësin kryesor deri në Veles, zgjerim të rrugës deri në Probishtip, rikonstruim të çerdhes dhe 8 milion euro të reja për komunën Sveti Nikollës. Dragan Kovaçki nga kjo parti nënvizoi se kjo parti do të kujdeset edhe për pensionistët e bujqit si dhe të gjithë qytetarët e vendit.
“Për Sveti Nikollën parashikojmë ndërtim të gazsjellësit kryesor deri në Veles, rikonstruim dhe zgjerim të rrugës deri në Probishtip, rikonstruim dhe zgjerim të çerdhes ‘Rahillka Goneva’ dhe 8 milion euro të reja për komunën Sveti Nikollë. Të nderuar qytetarë, përr bujqit e kësaj ane dhe të gjithë bujqit parashohim 800 milion euro që do të jenë mbështetje direkte për bujqit”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE./ Ajnur Bafqari
Average Rating