VMRO-DPMNE shpalos programin zgjedhor, çka ofron “Platforma 1198”
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dje prezantoi programin e partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2024 me titull “Platforma #1198”.
Mickoski theksoi se programi i tyre Platforma 1198, është vizionar dhe i dedikuar për zhvillimin e Maqedonisë, cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve, si dhe vendosjes së njerëzve në radhë të parë.
“Me fokus në problemet reale, ky program është krijuar për të garantuar funksionimin e plotë të sistemit, mbrojtjen e interesave kombëtare, arsim cilësor, si dhe një sistem modern shëndetësor”, tha Mickoski.
Dokumenti përmban gjithashtu masa dhe politika specifike reformuese që do të gjenerojnë një standard jetese dinamik dhe më të lartë, paga dhe pensione më të larta, duke garantuar rend dhe drejtësi për të gjithë.
“Programi Platforma 1198 mbështetet në 5 shtylla kryesore. Dhe së pari, një luftë aktive dhe e vazhdueshme për një standard cilësor jetese. Ajo që njerëzit kanë nevojë më shumë është një jetë e denjë. Hapja e dytë e frontit kundër korrupsionit. Së treti, institucionet duhet të punojnë sipas ligjeve. Shtylla e katërt është sigurimi i një sistemi funksional për qytetarët. Së pesti, është patriotizmi i përbashkët, që në thelb është patriotizmi që bashkon. Dhe respektimi i palëkundur i të drejtave dhe lirive të njerëzve”, tha Mickoski.
Sipas tij, ekonomia ka pjesën dominuese në program.
“ Me platformën 1198 ne angazhohemi për rritjen e GDP-së deri në 5% në vit, normën e ulët të inflacionit jo më shumë se 2.0%-2.5% në vit, deficiti buxhetor do të ulet gradualisht në një nivel nën 3.0% të GDP-së, duke ulur papunësinë në 7.5 %, pra krijimi i 55.000 vendeve të reja të punës”, tha Mickoski.
Ai paralajmëroi ulje të taksave, gjegjësisht Maqedonia të jetë ndër vendet me taksa më të ulëta për kompanitë dhe qytetarët.
“Do të mbajmë taksën e sheshtë, tatimi mbi të ardhurat personale 10% nuk do të rritet, do të ketë përjashtim nga taksat për tatimin mbi të ardhurat personale për të rinjtë e sapopunësuar deri në 29 vjeç për të mbajtur të rinjtë në ekonomi. Pragu i regjistrimit të TVSH-së nga dy do të jetë deri në tre milionë denarë, do të bëjmë rimbursim të plotë të tatimit mbi të ardhurat personale për çdo grua të punësuar që është në pushim të lindjes, tatimi në fitim mbetet në masën 10%, kthim e përfitimeve tatimore për kompanitë (shpenzimet e njohura) për premitë e paguara për sigurim vullnetar shëndetësor dhe jetës me qëllim të mbajtjes dhe motivimit të punëtorëve”, tha Mickoski.
VMRO-DPMNE thekson se me këtë program angazhohet për investime kapitale prej së paku 3 miliardë euro. “Shuma vjetore e transfertave kapitale deri në 250 milionë euro për komunat, gjithsej 1 miliard euro gjatë mandatit”, tha ai.
Mickoski tha se platforma po planifikon të ridizajnojë procedurën e rimbursimit të TVSH-së dhe do t’i japë statusin e “kartonit jeshil” për një procedurë më të lehtë të rimbursimit të TVSH-së. Në këtë mënyrë, sipas tij, procedura e rimbursimit të TVSH-së do të jetë e shpejtë dhe efikase për tatimpaguesit që plotësojnë kriteret e besimit tatimor.
Duke marrë përsipër një detyrim specifik dhe të përcaktuar qartë për mbrojtjen e interesave kombëtare, Platforma 1198, ndër të tjera, tha Mickoski, vendos synime ambicioze për garantimin e funksionimit normal të sistemit kushtetues dhe politik, si dhe për ruajtjen e qetë të rendit dhe ligjit ne vend.
Programi i tyre prezanton gjithashtu një jetë cilësore, duke ofruar një mundësi për të gjithë të zhvillojnë potencialin e tyre.
“Përkushtimi për ndërtimin e një sistemi shëndetësor cilësor, efikas dhe të drejtë, i cili do të jetë i disponueshëm në të njëjtat kushte dhe në të njëjtën mënyrë për të gjithë qytetarët. Bujqësia po ashtu në fokus kryesor, që do të udhëhiqet nga fermerë krenarë dhe të kënaqur, duke garantuar të drejta të barabarta për të gjithë. Programi parashikon reforma dhe masa specifike që imponohen si të nevojshme për një standard më të lartë jetese, si dhe për paga dhe pensione më të larta”, deklaroi Mickoski.
Në sektorin e energjisë, Platforma 1198 promovon përdorimin e burimeve të ndryshme dhe miqësore me mjedisin e energjisë
Në fushën e ekologjisë propozohen politika specifike ekologjike për ruajtjen e ambientit dhe përmirësimin e jetës.
Në fushën e investimeve promovohet një koncept për zbulimin dhe tërheqjen e investimeve vendore dhe të huaja që do t’i japin energji të re ekonomisë.
“Rinia është një nga pikat kryesore të këtij dokumenti. Duke detektuar drejt sfidat dhe dëshirat e tyre, po marrin masa të qarta që do të mundësojnë realizimin e prioriteteve kyçe në mënyrë moderne: duke filluar nga rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë në të gjitha nivelet, përmes një koncepti të ri drejt zhvillimit dhe promovimit të individit dhe sporteve kolektive deri në masa që do të modernizojnë arsimin, do të lehtësojnë studimet përmes bursave dhe ndihmës tjetër dhe do të vendosin baza të reja për zhvillimin dinamik të sipërmarrjes rinore të mbështetur nga shteti”, tha Mickoski.
Për sa i përket demografisë dhe parandalimit të emigrimit, parashikohen masa që do të krijojnë kushte për uljen e emigrimit në një periudhë afatshkurtër dhe në afat të mesëm do të mundësojnë kthimin e atyre që tashmë janë larguar nga vendlindja.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickoski paralajmëroi heqjen e balancuesit, sa i përket punësimeve në administratë në aspektin e përfaqësimit, kërkoi mbështetje nga partitë për një Parlament me 90 deputetë, për një njësi zgjedhore dhe njoftoi se nëse VMRO-DPMNE do të jetë në krye të Qeverisë, do të bëhet riorganizim i institucioneve dhe krijimi i një Ministrie të re të Energjetikës, por edhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa Ministria e ekonomisë do bëhet e Ekonomisë dhe Punës. Mickoski po ashtu premtoi se do të modifikohet masa “Bli shtëpi për të rinjtë”.
Average Rating