“Politiko”: Rikthimi i VMRO-së pritet që edhe më shumë t’i komplikojë marrëdhëniet me Greqinë dhe Bullgarinë
Portali i Brukselit “Politiko” ka shkruar në lidhje me inaugurimin e djeshëm të presidentes së re Gordana Siljanovska Davkova. “Politiko” komentoi se që në vet aktin solemn në Kuvend me mospërdorimin e emrit kushtetues, ajo ka shkaktuar debate me Greqinë fqinje dhe reagime të shumta nga Athina.
“Presidentja e sapozgjedhur nacionaliste e Maqedonisë së Veriut qysh para se të japë betim të dielën, shkaktoi debat diplomatik me Greqinë fqinje”, bën të ditur Politiko.
“Politiko” bën të ditur se gjatë ceremonisë së dhënies së betimit në Parlament, Siljanovska Davkova, e cila, siç theksoi, është gruaja e parë presidente e në Maqedoninë e Veriut, e ka quajtur vendin e saj “Maqedonia”, në vend se me emrin e saj kushtetues “Maqedonia e Veriut”.
“Ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sofija Filipidu, menjëherë u largua nga ceremonia në inaugurimin në shenjë proteste”, bën të ditur portali, duke shtuar se “partia e djathtë VMRO”, kandidat i së cilës ishte Siljanovska – Davkova dhe e cila fitoi edhe në zgjedhjet parlamentare të dielën e kaluar, e refuzon Marrëveshjen e vitit 2018 e cila parasheh që vendi të mos quhet “Maqedonia”.
Sipas Marrëveshjes së Prespës, njofton “Politiko”, emri dhe Kushtetuta e vendit ishin ndryshuar, duke i mundësuar Maqedonisë së Veriut që të hyjë në NATO në vitin 2020 dhe ta fillojë procesin e anëtarësimit në BE.
“Politiko” transmeton reagimin e MPJ-së greke, sipas të cilës deklaratat e presidentes së re shkelin kushtet e Marrëveshjes Ndërkombëtare të Prespës ndërmjet Athinës dhe Shkupit nga viti 2018 dhe kërcënojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe porrosia e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në Iks se “që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saja detyruese, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës”.
Portali përkujton se Greqia me dekada e bllokoi anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO, duke thënë se me këtë që e quan veten “Maqedonia” e “përvetëson emrin grek, si dhe historinë e Mbretërisë antike greke të Maqedonisë”. Në tekst shtohet edhe se gjatë dy viteve të kaluara, Bullgaria, gjithashtu, e bllokoi kandidaturën e vendit për BE-në, duke kërkuar që edhe një herë të ndryshohet Kushtetuta e saj “që të njihet pakica bullgare”.
“Marrëveshjen e Prespës e nënshkroi Qeveria e atëhershme, e kryesuar nga partia socialiste LSDM. Në të kundërtën, VMRO nacionaliste, të cilës i takon Siljanovska – Davkova, gjithmonë e refuzonte marrëveshjen. Gjatë fushatës së tij të javëve të kaluara për zgjedhjet parlamentare, lideri i VMRO-së, Hristian Mickoski, e akuzoi LSDM-në se ka bërë kompromise nënshtruese për zgjidhjen e kontesteve me fqinjët dhe vazhdoi ta quajë vendin ‘Maqedonia’ edhe krahas marrëveshjes së Prespës, bën të ditur “Politiko”, duke transmetuar deklaratë të Mickoskit se për të “Maqedonia është dhe do të mbetet Maqedoni”.
Average Rating